Hysamedin FERAJ

Qytetar i mirë është një që nuk iu qëndron besnik partive; aq më pak udhëheqësve të saj. Nëse është fjala për besnikëri dhe nëse ekziston ndonjë detyrim i posaçëm moral ndaj bashkësisë së definuar si qytetare, kombëtare, ose njerëzore, atëherë duhet zgjedhur besnikëria e drejtpërdrejtë ndaj këtyre dhe jo ndaj kësaj ose asaj pjese (parte, part-i). Prandaj qytetari, patrioti, atdhetari i mirë është tradhtari i partive, sa herë që partitë, për çfarëdo arsyeje, bien ndesh me interesat e kombit,të atdheut, të njerëzimit, etj.

Në rastin shqiptar duhej të ishte e qartë se besnikëria i përket kombit dhe jo partive. Partitë shpesh mbeten prapa gjatë ecjes së kombit, madje duket se janë të përcaktuara të ndalin një etapë të lavdisë së tyre dhe të mos ecin me tej: “iu mbetet ora te njëherë e një kohë”.  Prandaj shqiptarit shpesh i duhet të ecë me kombin, me shqiptarinë, duke e lënë partinë që nuk ecë me kombin. Të tilla zakonisht janë partitë në pushtet. Le t’i ilustrojmë këto fenomene me pak histori shqiptare, në të vërtetë jo aq histori por që janë vetë jetët tona.

Mbas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë qeverisjen e mori përsipër LKK (si pjesë e LKJ); me argumentin se e ka drejtuar luftën çlirimtare dhe revolucionin e mbajti pushtetin për gati 40 vjet. Përkundër saj ekzistonin shumë grupime (parti) ilegale që e shprehën veten zëshëm duke kërkuar ngritjen e statutit të Kosovës brenda Jugosllavisë dhe më tej bashkimin kombëtar. Partia në pushtet i ndoqi dhe i burgosi shqiptarët dhe aktivistët e tyre: nga fundi i viteve 1960 me argumentin se protestat e kërkesat për më shumë do të përdoren si pretekst për rikthimin e Rankoviçit të saposhkarkuar; në vitet 1980 se do t’ia heqin Kosovës edhe autonominë që kishte. Sigurisht nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra: mbas protestave “armiqësore dhe në dëm të Kosovës”, siç i cilësonte partia në pushtet, Kosova fitoi autonominë dhe më vonë nga fundi i ‘80-ave dhe në ’90-at shumë anëtarë të partisë në pushtet kuptuan se për të mirën e vendit, të kombit dhe të atdheut partia duhej braktisur: në vend të LKK u krijua LDK; po ashtu shumë anëtarë të lëvizjeve të mëparshme ilegale kuptuan se me partitë e tyre nuk do të ishin aq në dobi të kombit, i braktisën ato dhe u bashkuan me LDK-në. Në të dy anët, anëtarët po thyenin besnikëritë ndaj partive për t’i qëndruar besnik kombit dhe interesave të tij. Nëse më parë kisha qenë pranë lëvizjeve ilegale, tani e mbështeta plotësisht LDK-në.

LDK e çoi para çështjen kombëtare shqiptare: jashtë, bota mësoi se në Jugosllavi ka shqiptarë, se shqiptarët kanë kërkesa të qarta politike dhe se ekziston problemi i quajtur Kosovë; brenda, popullsia u përbashkua rreth një shprese dhe një projekti politik:. Në mesin e viteve ’90 këto arritje ishin realizuar. Kombi, shqiptari, duhej të ecte më tej, por partia LDK nuk po kuptonte, kishte ngecur në lavdinë e arritjeve të deriatëhershme për “ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës”. Për etapën e re u shpall publikisht UÇK. Partia “në pushtet” (në “pushtetin paralel”) e dënoi UÇK-në me argumentin se do të na e kthej gjithë botën kundër, duke përfshirë edhe aleatët tanë ndërkombëtarë, sepse lufta e armatosur do të konsiderohej terrorizëm; në ndihmë i erdhën përfaqësuesit e SHBA-së me deklaratën e Gellbartit se UÇK është organizatë terroriste; nga partiakët shqiptarë dhe shumë “intelektualë” UÇK dhe ushtarët e saj u quajtën “enveristë”, “komunistë”, “vegla të UDB-së”, etj. Mirëpo nuk ndodhi as njëra as tjetra. Përkundrazi anëtarë të LDK-së dhe popullsia gjerësisht nuk iu qëndroi besnik qëndrimeve të partisë LDK por e mbështeti UÇK-në, së paku duke e shpallur masivisht veten: “unë jam UÇK”; po ashtu SHBA e braktisi LDK-në dhe e mbështeti plotësisht UÇK-në dhe luftën e armatosur të saj, duke e bërë vetë atë. Nëse më parë e kisha mbështetur plotësisht LDK-në, tani e mbështeta plotësisht UÇK-në.

Mbas luftës së armatosur dhe largimit të Serbisë nga Kosova, në pushtet erdhën, me radhë, LDK me lavdinë e dikurshme të ndërkombëtarizimit të çështjes dhe PDK me lavdinë e luftës çlirimtare. Të dyja ngecën të kurthuara në lavdinë shkuar dhe në përfitimet personale e private që sjellë pushteti, plotësisht të padëgjueshme ndaj “miqve tanë ndërkombëtarë”, së brendshmi, për të luftuar korrupsion e tyre, dhe plotësisht të dëgjueshme ndaj “miqve tanë ndërkombëtarë”, së jashtmi, për t’i bërë lëshime Serbisë në dëm të shtetndërtimit të Kosovës. Për etapën e re u shpall Vetëvendosje, jo krejt e dëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve për jashtë, domethënë që t’i bëjnë lëshime të padrejta Serbisë në dëm të Kosovës, dhe krejt e dëgjueshme për brenda, për të qeverisur ndershëm dhe pa korrupsion. Si përherë, partitë në pushtet e paraqitën VV-në si “enveriste” dhe “komuniste”, domethënë “ateiste” por edhe “fondamentaliste fetare”, “në favor të Serbisë” por edhe “dëmtuese e fqinjësisë me Serbinë”, etj. Për këtë në ndihmë u vijnë deklarata e ambasadorëve të ndryshëm (si e Gellbartit dikur). Mirëpo, ndonëse ngadalë, popullsia po e braktisë besnikërinë ndaj partive dikur të lavdishme dhe po i bashkohet masivisht VV-së duke i qëndruar besnik ecjes së kombit kah realizimi i aspiratave të tij. Nëse më parë e kisha mbështetur plotësisht UÇK-në, për etapën në vijim e mbështes plotësisht VV. Sepse në çdo rast, detyrë e anëtarit të një kombi është t’i qëndrojë besnik idesë së kombit dhe partive politike, të mbështesë kombin, ndërsa partitë vetëm për aq sa çojnë para realizimin e kombit. Nëse mbas ardhjes në qeverisje të VV dhe mbas realizimit të projektit të saj kombëtar mbetet prapa e kurthuar në lavdinë e kësaj etape, sigurisht duhet braktisur VV dhe mbështetur grupime të tjera që mund të jenë më në përputhje me ecjen para të kombit.

Ngjashëm ka ndodhur në Shqipëri. Me lavdinë se ka udhëhequr Luftën Nacionalçlirimtare dhe revolucionin, PKSH (PPSH) qëndroi në pushtet rreth 40 vjet, duke e çuar dalëngadalë vendin dhe kombin në mjerim ekonomik dhe intelektual. Ishte detyrë e anëtarëve të kombit të braktisin besnikërinë ndaj partisë dhe t’i bashkoheshin lëvizjes demokratike të udhëhequr nga PDSH për të shpëtuar dhe përparuar vendin e kombin, në vend se t’i qëndrojnë besnikë partisë së mëparshme. Nëse kisha shkuar në Shqipëri për të mësuar teorinë dhe praktikën e revolucionit, mësimet e E. Hoxhës dhe të PPSH si shembull i suksesit, me konstatimin se nuk ishte ashtu, braktisa eneverizmin dhe PPSH-në e jo kombin, duke mbështetur pa rezervë PD-në dhe lëvizjen antienveriste. Njësoj, kur PD ndaloi në fitimet që sillte të qenit në pushtet duke braktisur çështjen kombëtare dhe zhvillimin e vendit, duhej braktisur PD e jo kombi, vendi, shoqëria dhe njerëzorja.

Shqiptari duhet të ecë me shqiptarinë, për sa nuk bie ndesh me një gjë më të lartë: njerëzoren. Por nuk duhet të qëndroj në vend me diçka që është poshtë kombit: me partitë. Partitë shkojnë e vijnë, ndërsa kombi mbetet. Tani që në Kosovë po rrezikohet kombi, vendi, territori, shtetësia, gjithë aspiratat shqiptare për të cilat janë përvuajtur shumë sakrifica e tortura, për të cilat është derdhur gjak e janë dhënë shumë jetë, besnikëria ndaj lavdisë së dikurshme të partive, qoftë LDK, PDK apo cilado tjetër, nuk është vetëm besnikëri ndaj partisë, por është më shumë: tradhti ndaj kombit. Joshjet për t’i qëndruar besnik partive janë të shumta, sepse partitë, ashtu siç janë sot, iu gjejnë punë disa besnikëve të tyre duke nxitur shpresa te të tjerët ndonëse nuk iu ka ndodhur ende, duke ofruar poste për më të zhurmshmit, duke ndëshkuar kundërshtarët, etj. Por motivet e tilla për besnikëri ndaj partive janë të ulëta dhe pa asnjë vlerë morale as njerëzore.

Në politikë provimi nuk jepet një herë për gjithë jetën. Në politikë provimi jepet çdo ditë dhe në situatën aktuale. Askush nuk është i legjitimuar të qëndroj në pushtet me argumentin e lavdisë së treguar një herë, por vetëm të lavdisë që tregon aktualisht. Asnjë partie nuk mund t’i besohet vetëm sajë të së kaluarës, por mbi të gjitha sajë të sotmes. Sot nuk është vështirë të kuptohet, madje e ka kundërshtuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, se duhet kundërshtuar politika LDK-PDK, përkatësisht Mustafa-Thaçi  dhe duhet mbështetur VV. Më tej të shohim; të shohim me syçeltësi dhe duke pasur parasysh interesat shqiptare e njerëzore. Duket se është fatalitet për ne: të ecim me partitë apo me shqiptarësinë. Nëse e kemi pasur ndonjëherë idealin kombëtar, t’i qëndrojmë besnik vetes tonë dhe jo partive.

Loading...