Bedri Mehmeti

Edhe funksionari i BDI-së për të cilin dolën informacione se më 27 prill ka spiunuar te VMRO-DPMNE-ja dhe u ka parapri ngjarjeve të përgjakshme në Parlament, sot do të veshë petkun e patriotit dhe do të festojë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit.
Ai do të jetë një nga shumë funksionarët e BDI-së që kanë qëndruar bashkë me VMRO-DPMNE-në në ditët më të vështira për shqiptarët, e që sot do të na shiten patriotë dhe do të flasin fjalë të mëdha për alfabetin, për gjuhën shqipe dhe për shqiptarët në përgjithësi. (Mos u habitni nëse i shihni edhe duke mbajtur kollare kuq e zi me shqiponjë).
Në manifestimet e sotme me rastin e ditës së Alfabetit do të marrë pjesë edhe një mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Koce Trajanovskit nga Shqipëria, por nuk do të mungojnë as të dyshuarit e Prokurorisë Speciale Publike në Maqedoni, e as ata që u ndanin dekorata të dyshuarëve aktualë të PSP-së.
Kjo tregon se sa shumë hipokrizi do të ketë gjatë festave të nëntorit. Pak jemi mësuar, por sërish nuk mund të rrimë pa u revoltuar.
Por si duhet të sillemi ne shqiptarët në këtë situatë, kur thuajse gjitha manifestimet për Ditën e Alfabetit i kanë uzurpuar spiunë të VMRO-së, të dyshuar nga PSP-ja, miq të Koce Trajanovskit nga Shqipëria, si dhe ata që ndanin dekorata për “patriotët” që sot janë të dyshuar të PSP-së? Çka duhet të bëjmë ne shqiptarët, kur që tani e dimë se njësoj do të jetë edhe më 28 Nëntor, kur do të festohet Dita e Flamurit?
A duhet ta urrejmë Alfabetin, pasi atë po e festojnë të lartpërmendurit? A duhet ta urrejmë flamurin, pasi atë po e valëvitin të lartpërmendurit? Jo, assesi! Sepse ky është qëllimi i të lartpërmendurve. Ata e festojnë 22 Nëntorin jo pse e donë Alfabetin, por me shpresë se do të na detyrojnë neve ta urrejmë Alfabetin. Ata e festojnë Ditën e Flamurit me shpresë se do të detyrojnë shumë shqiptarë të thonë “çka më duhet ky flamur që e valëvit spiuni i 27 prillit, ose të dyshuarit e PSP-së AA, BB, e kështu me radhë”.
Ata e dinë që janë të urryer nga shqiptarët. Prandaj e mbajnë flamurin në dorë, duke shpresuar se duke i urryer ata, do ta urrejmë edhe flamurin tonë. Ky është projekti i tyre për të asimiluar shqiptarët, përkrahur nga qarqe pansllave. Ky është projekti të na detyrojnë përskaj tyre, ta urrejmë edhe Alfabetin dhe Flamurin tonë. Këto qarqe na instalojnë edhe në institucionet fetare njerëz të padenjë, me shpresë se do të na detyrojnë ta urrejmë edhe fenë tonë.
Mirëpo shqiptarët nuk bien në grackat e tyre. Falë gjeneratave të reja dhe të arsimuara, falë prindërve tanë që kanë kaluar e tejkaluar edhe shumë skenare tjera të qarqeve pansllave, të lartpërmendurve së shpejti me votën tonë do t’ua marrim të drejtën që që asnjëherë më të mos mund ta prekin flamurin Kuq e Zi (le ta valëvitin flamurin e Serbisë ose Rusisë që e kanë në zemër), asnjëherë të mos mund të krekosen me ABC-në tonë të shenjtë, si dhe asnjëherë të mos mund të udhëheqin institucionet tona fetare.