Gjatë bisedës është sa në humor, aq edhe i matur me frazat që përdorë ndaj të gjitha çështjeve delikate. Xhani De Biazi, në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport” zbardh ofertat e shumta që ka marrë në drejtim të tij për të lënë përgjysmë rrugëtimin e artë me kuqezinjtë.

Gjithashtu bën me dije kërkesat e tij në lidhje me vazhdimësinë e kontratës dhe planet pas Europianit. “Nuk kam ardhur në Shqipëri për t’u bërë i pasur, apo se unë dhe stafi im s’kishim se me çfarë të merreshim.

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e madhe, emocionuese dhe stimuluese që më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është që të punosh në një ambient ku trajneri ka një rëndësi maksimale. Sapo kam refuzuar pesë milionë euro për Shqipërinë”, bën me dije trajneri i kuqezinjve, i cili në fund flet edhe shqip kur uron shqiptarët për festat.

Çfarë note i vendosni këtij edicioni që përfundoi?

Mendoj se edicioni mund të konsiderohet shumë pozitiv dhe për këtë, si votë mund të them nëntë, pasi dhjetë është maksimumi. Nëntë, sepse skuadra ka pasur një rezultat që, sipas meje, ka qenë i rëndësishëm. E them këtë duke iu referuar arritjes së kualifikimit për në Europian. Pastaj edhe sepse ekipi ka pasur një rritje konstante dhe është relativisht i ri që mendoj se do të jetë një avantazh për të ardhmen.

Një notë për veten?

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e madhe, emocionuese dhe stimuluese që më ka bërë të kuptoj se sa e rëndësishme është që të punosh në një ambient ku trajneri ka një rëndësi maksimale.

Pas kaq shumë kohësh në Shqipëri, kush është shqiptari me të cilin jeni afeksionuar më tepër?

Le të themi që kam një raport të mirë me të gjithë. Normalisht me njerëzit që i takoj në rrugë kam krijuar një raport gjithmonë korrekt. Nuk bëj personazhin apo arrogantin. Përkundrazi, kur më kërkojnë një autograf apo një fotografi, kam qenë gjithmonë i gatshëm. Në vendin ku unë qëndroj, sa herë që vij në Shqipëri, kam një raport mjaft të mirë me pronarin, Adin.

Cili ka qenë momenti më i vështirë?

Pas humbjes në shtëpi kundër Serbisë. Ka qenë një plagosje e rëndë për ne. Kërkuam që të fitonim ndeshjen dhe t’i jepnim mundësinë vetes që të luanim për një barazim në Armeni. Për fat të keq, u mundëm në minutat e fundit, pasi mbizotëroi e paarsyeshmja mbi të arsyeshmen. Në fund u mundëm, edhe pse donim shumë që ta fitonim atë takim.

Jeni nominuar në shumë anketa të ndryshme. Çfarë domethënieje kanë për ju?

Jam i lumtur për këtë. Mendoj se ajo që kemi arritur me Shqipërinë ka qenë një rezultat për të cilin të gjitha mediat, jo vetëm ato italiane, por edhe europiane, kanë folur shumë. Kjo, sipas meje, është diçka e bukur, sepse është përralla e bërë realitet. Kjo është një mundësi edhe për të rinjtë që të mësojnë se sa herë kanë një ëndërr apo dëshirë, ekziston gjithmonë mundësia që ta arrijnë nëse bëjnë gjënë e duhur.

Është diskutuar shumë rreth të ardhmes suaj. Sa mundësi ka që të qëndroni edhe pas Europianit?

Unë kam kontratë edhe për dy vite të tjera, që përfshijnë edhe kualifikueset për në Botëror, pra deri në 2017-n. Federata, në mënyrë të veçantë zoti Duka, e di që kërkon të më kënaqë edhe më shumë. Unë nuk kam kërkuar asgjë. Gjithsesi, më vjen mirë për ato që do të më japë.

Çfarë do të kishit bërë më mirë gjatë kësaj kohe që keni qëndruar në Shqipëri?

Nuk kam ardhur me stafin tim në Shqipëri për t’u bërë të pasur apo se nuk kishim se me çfarë të merreshim. Kemi ardhur këtu për ta vënë në zbatim dhe për të realizuar një objektiv. Në gjithçka kemi bërë, kemi pasur vetëm pasionin për të përmirësuar futbollin në Shqipëri. Kemi punuar me bazën e Kombëtareve të moshave dhe kërkojmë që puna të bëhet më në thellësi për të kuruar taktikën e të gjithë këtyre ekipeve.

Shqiptarët ju konsiderojnë si babagjyshin që u dha kualifikimin. Ju vetë, çfarë kërkese do të kishit për të?

Babagjyshit do t’i kërkoja që të kem në dispozicion për Europianin të gjithë lojtarët që kanë kontribuuar për të shkuar në Francë. Të jenë të angazhuar gjatë kësaj kohe me ekipet e tyre dhe që në Europian të kenë ende energji për një kompeticion kaq të rëndësishëm sa ai në Francë.

Sa oferta keni pasur gjatë kësaj kohe nga ekipe apo Kombëtare?

Shumë! E fundit ka qenë rreth disa orë më parë (dje në mesditë). Megjithatë kam marrë një impenjim, të cilit dua që t’i shkoj deri në fund. Mbi të gjitha, të shkojmë në Francë dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë. Pas saj është radha që të përqendrohemi te kualifikueset në Botëror dhe më pas të shohim. Megjithatë, bota e futbollit është magjepsëse.

Më lejoni të insistoj në lidhje me ofertën që përmendët?

Kam refuzuar një shumë të konsiderueshme parash. Ishte e jashtëzakonshme, nga një ekip kinez. Bëhej fjalë për një ofertë prej pesë milionë eurosh në dy vite. E refuzova menjëherë, edhe pse, në kushte të tjera, do ta kisha pranuar.

Çfarë rëndësie pati për ju që të merrnit titullin “Honoris Causa” në Shqipëri?

Jam krenar, siç e thashë edhe në fjalimin tim. E dëshiroja shumë, sepse, le të themi, që për faj të futbollit nuk kam studiuar aq shumë sa do të doja për t’u bërë avokat. Pastaj i kam ndërprerë. Jam shumë i kënaqur dhe e falënderoj universitetin që ma dha këtë mundësi edhe për motivin sepse ishte shumë i bukur. Arrita të bëja krenar edhe popullin shqiptar.

Çfarë raportesh keni me Kaçen?

Krejt normale si me të gjithë lojtarët e tjerë të Kombëtares. Nuk krijoj marrëdhënie të ndryshme me dikë që të mund ta privilegjoj ndryshe nga të tjerët. Megjithatë, është mirë që kur dikush flet, të jetë përballë një që kupton menjëherë atë që po thua. Ai ka probleme me komunikimin, por ka cilësi shumë të mëdha dhe është një djalë i mirë.

Mendoni se është gati për Serinë A?

Shpresojmë që po! Uroj që të arrijë të transferohet në Serinë A. Kam parë në media të ndryshme që është përfolur emri i Lacios. S’e di nëse është e vërtetë apo thjesht një sajesë e mediave. Megjithatë, nëse do të bëhej pjesë e Serisë A, do të isha i lumtur. Së pari, sepse do ta kisha më shumë nën kontroll. Së dyti, edhe sepse Seria A mendoj se ka diçka më shumë sesa kampionati grek.

Jeni shprehur që Gashi po kalon një situatë të çmendur?

Gashi është duke kaluar një moment mjaft të trishtueshëm, duke qenë se është një futbollist i shpallur për dy sezone radhazi si golashënuesi i kampionatit zviceran dhe nuk po luan. Shpresoj që të sistemohet sa më shpejt. Më kanë pyetur edhe në Itali për të dhe shpresoj që të mund të bëjë edhe ai një kalim të tillë. Mos më pyesni për emra ekipesh, sepse nuk tregoj asnjë…

Ju tremb diçka përpara Europianit?

Ne jemi në një grup të vështirë. Kemi përballë një ekip si Franca që, mbi të gjitha, do të luajë në shtëpi. Luajmë me Zvicrën, e cila ka shumë lojtarë cilësorë. Gjithashtu Rumaninë, që ka bërë një ngjitje të konsiderueshme në renditjen e FIFA-s në vitet e fundit.

Ndaj them që janë të tria skuadra të rrezikshme. Por, nuk duhet të harrojmë që në Europian nisemi të gjithë nga e njëjta bazë. Gjithashtu që ne jemi ekip që vinim nga vazoja e katërt. Megjithatë, e kemi treguar shumë herë që përballë kundërshtarëve shumë të vështirë edhe ne bëhemi më të fortë.

Sa lojtarë të rinj mund të vijnë në Kombëtare për Europianin?

Shumë pak, për të mos thënë asnjë.

Asnjë?

Them që asnjë. OK, vetëm nëse do të kemi situata emergjente. Nuk mund të anashkaloj ata lojtarë që na kanë çuar deri në Francë. Kjo, për arsyen e thjeshtë, se janë më të besueshëm dhe një grup unik, një skuadër. Mbi të gjitha, ata e dinë që ekipi është përpara të gjithave dhe mbi të gjithë.

As Manaj apo Rashica, si dhe Salihi që mungoi në grumbullimin e fundit?

Salihi ka bërë disa paraqitje me ne gjatë këtij edicioni. Të gjithë do të jenë nën vëzhgim deri në momentin që do të vendosim. Një muaj përpara se të nisemi atje, do të bëjmë llogaritë se kush do të vijë dhe do të shohim gjithashtu kush është në formën më të mirë, ka luajtur më shumë e kështu me radhë.

Arlind Ajeti është transferuar në Itali, por ende asnjë minutë për të…

Ishte e pritshme. Madje, unë e dija dhe ja kisha bërë me dije edhe trajnerit të tij që nuk është në gjendje për të luajtur menjëherë. Në momentin kur nuk stërvitesh, kur nuk aktivizohesh, s’mund të kesh një kondicion fizik të përsosur dhe që të të mundësojë të jesh në fushë. Ai tashmë po punon që të mund të rikuperojë edhe kondicionin fizik optimal që të mund të jetë një prej zgjedhjeve të trajnerit. Shpresoj që, pas pushimeve të vitit të ri, të mund të jetë pjesë aktive e skuadrës.

A keni një tjetër mesazh për Xhemailin, meqenëse ka qenë ndër të parët që ju ka uruar për kualifikimin?

Xhemaili ka qenë lojtari im te Torino, shumë i dashur për mua, por që për fat të keq do ta kemi kundërshtar në Europian. Uroj që të dy të mund të kalojmë fazën e grupeve. Është shumë i fortë dhe e di gjithashtu që bën tifo edhe për ne.

Duka ka shprehur dëshirën e tij që ju të qëndroni sa më gjatë me Kombëtaren, por ka shtuar se “nuk do të shesë shtëpinë për t’ju paguar juve”. Kaq shumë kërkon De Biazi?

Absolutisht jo! Mendoj se jam paguar për aq sa Federata Shqiptare e Futbollit mund të përballojë. Unë nuk kam ardhur në Shqipëri për t’u bërë i pasur dhe kjo është e sigurt. Mbase, jam pasuruar nga kënaqësia e madhe dhe nga mirënjohja pa kufi që më kanë dhënë njerëzit dhe kjo, për mua, është shumë e rëndësishme. Mendoj se i kam dhënë një kontribut të mirë federatës që të rrisë bilancet sepse tashmë i vijnë para edhe për faktin që do të jetë në Francë. Jam i bindur se të dy, si Duka edhe unë e kemi shijuar këtë eksperiencë.

Kush jua shkroi fjalimin shqip që mbajtët në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF-ja?

E kam shkruar vetë, por për ta përkthyer më ndihmoi një mik. Në fakt, ishte një e lexuar keq (qesh), por sigurisht që e kam shkruar vetë. Ishin mendimet e mia sepse unë gjithmonë jam i idesë që duhet të jemi të bashkuar. Nëse mendojmë se njëri është më i mirë se tjetri, atëherë jemi të marrë fund. Shembulli që ka bërë Skënderbeu me shkopinjtë është diçka që mbahet mend përjetësisht.

Cilat do të jenë miqësoret që do të zhvillojë Shqipëria përpara Europianit?

Nuk janë përcaktuar ende. Madje as vendi se ku do të qëndrojmë në Francë. Kemi parë shumë vende, por ende nuk kam caktuar se ku do të jemi. Kemi diskutuar me Turqinë dhe Poloninë, por akoma nuk është përcaktuar asgjë.

Çfarë i thatë Tramexanit në Armeni kur e përqafuat pasi mbaroi ndeshja?

(Qesh…) Sinqerisht që as që e kujtoj fjalë për fjalë se çfarë i kam thënë. Por ishte diçka në një moment entuziazmi. Ai ka qenë një njeri që më ka qëndruar shumë pranë gjatë gjithë kohës, më ka ndihmuar dhe mbështetur maksimalisht shumë. Kemi arritur së bashku që të zgjidhim edhe situata që të tjerë nuk i besonin. Kemi pasur gjatë gjithë kohës edhe diskutime për zgjedhje të caktuara, por që në fund unë vendosja gjithmonë (qesh…). OK, i kam dhënë të drejtë edhe atij ndonjëherë. Por, ai është më i ri dhe disi entuziast. Tamam si shqiptarët (qesh…) dhe më duhet gjithmonë që t’i them: Kujdes, ulu me këmbë në tokë se po fluturon!

Urimi për shqiptarët?

Të jetë një vit njësoj si 2015-ta, pasi në aspektin sportiv mendoj se ka qenë i shkëlqyer. Madje, edhe 2014-ta ka qenë mjaft i mirë duke kujtuar fitoren në Portugali. Shpresojmë që të jetë i mirë nga ana sportive. Nga ana tjetër, ju uroj (flet shqip: Gezuar Vitin e Ri per te gjith”).