Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Kosovë sot në Hagë fillon intervistimin e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tashmë, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, ish-komandantë të UÇK-së, janë në mesin e të parëve që do të merren në pyetje këtë javë.

Por, Gjykata Speciale konsiderohet e pa drejtë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, pasi që po amnistohet Serbia.

Kështu vlerëson, ish eprori i lartë i UÇK-TMK, njëherit ish anëtar i SHIK, Naim Miftari.

Miftari thotë se, Gjykata Speciale nuk do të sjellë turbulenca politike pasi do të ketë të ftuar nga të gjitha partitë politike.

Sipas tij, lufta e UÇK-së ishte e pastër dhe kjo gjykatë s’mund ta njollosë atë, e gjithashtu thekson se fajin për formimin e Gjykatës Speciale e bartë mbi supe Presidenti Hashim Thaçi, pasi sipas Miftarit, ai po tenton t’i ikë dënimit duke sjellë “gjykata nga Serbia e Rusia”.

“Hashim Thaçi e çarmatosi dhe tradhtoi UÇK-në me marrëveshjen K90, vrau komandantët kryesor të luftës, dhe ata komandantë që mbeten gjallë sa mu pasuruar pas luftës i dërgoj vet në burgun e Hagës”, shprehet Miftari.

“UÇK-ja, pra luftëtarët tanë të lirisë kanë bërë luftë të pastër si loti në rrethanat se si ka luftuar. Por këtë zotërinjtë “gjeneralët” që për një cigare paguajnë 60 euro kur Kosovën e ka kapur varfëria, padrejtësia e izolimi, këtë varfëri e skamje që e kanë sjellur pikërisht vet disa nga këta zotërinjtë “gjeneralët” milionerë, prandaj sot edhe po i dënuan edhe po i liruan nuk është që më dhimbsen. Sot këta janë multi milionerë, kurse më parë nuk kanë pasur asgjë para derës, profiterët që pas luftës nuk kanë lanë dy gur pa i lëvizur, kanë vjedhur e plaçkitur”, shprehet Miftari.