Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, tha se tërheqja e SHBA-ve nga Siria duhet të planifikohet me kujdes dhe të përmbushet në bashkëpunim me partnerët e duhur për të mbrojtur interesat e Washingtonit, komunitetit ndërkombëtar dhe popullit sirian, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Turqia e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, është i vetmi vend me fuqi dhe angazhim për të përmbushur këtë detyrë”, tha Erdogan në një artikull të shkruar për ‘The New York Times’.

Erdogan theksoi se Turqia ishte e angazhuar për të mposhtur DEASH-in dhe grupet tjera terroriste në Siri.

Duke kujtuar rolin e Turqisë në proceset e paqes në Gjenevë dhe Astana, si dhe pozicionin e saj si “e vetmja palë e interesuar që mund të punojë njëkohësisht me SHBA-të dhe Rusinë”, Erdogan tha se Turqia “synon të bashkëpunojë dhe koordinojë” veprimet me aleatët e saj.

“Ne do të ndërtojmë mbi këto partneritete për të kryer punën në Siri”, u shpreh ai.

Duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve për të bashkuar forcat për t’i dhënë fund terrorit nga DEASH-i dhe për të mbrojtur integritetin territorial të Sirisë, Erdogan tha se Turqia “po del vullnetarisht për ta përballuar këtë barrë të rëndë në një kohë kritike në histori”.

“Ne po llogarisim komunitetin ndërkombëtar të qëndrojë me ne”, shtoi ai.

Tërheqja e SHBA-ve nga Siria

Presidenti Erdogan tha se presidenti amerikan, Donald Trump, “bëri thirrjen e duhur” në vendimin për tërheqjen e forcave të SHBA-ve nga Siria.

Trump mori vendimin e papritur muajin e kaluar për të tërhequr të gjitha 2.000 trupat amerikane nga vendi i shkatërruar nga lufta, lëvizje që shkaktoi kritika nga shumë aleatë dhe ndihmës të sigurisë, përfshirë edhe kabinetin e tij.

Duke kujtuar se në vitin 2016 Turqia ishte vendi i parë që vendosi trupa tokësore në Siri për të luftuar organizatën terroriste DEASH, Erdogan tha se kjo e pengonte DEASH-in të arrinte kufijtë e NATO-s dhe të kryente sulme në Turqi dhe Evropë.

Erdogan tha se trupat turke së bashku me Ushtrinë e Lirë Siriane “shkuan derë më derë për të çrrënjosur kryengritësit” në ish-kështjellën e DEASH-it në qytetin sirian Al-Bab.

Siç tha Erdogan, qasja e Turqisë mundësoi një “mjedis të qëndrueshëm” për popullin sirian, pasi infrastruktura mbeti e padëmtuar, shkollat u rihapën, një spital i financuar nga Turqia siguroi mbështetje mjekësore dhe projektet e biznesit krijuan mundësi punësimi.

“Ky mjedis i qëndrueshëm është shërimi i vetëm për terrorizmin. E them përsëri, nuk do të ketë asnjë fitore për terroristët. Turqia do të vazhdojë të bëjë atë që duhet për të garantuar sigurinë e vet dhe mirëqenien e komunitetit ndërkombëtar”, u shpreh Erdogan.

Forca e stabilizimit

Erdogan tha se “nëse flasim ushtarakisht, i ashtuquajturi Shtet Islamik është mundur në Siri”, duke përdorur një tjetër emër për DEASH-in.

Megjithatë, ai tha se shqetësimet mbeten se mbetjet e DEASH-it do të përdoren si një justifikim për të ndërhyrë në punët e brendshme të Sirisë.

Duke theksuar se një fitore ushtarake kundër grupit terrorist është “hap i parë”, presidenti Erdogan tha se Turqia “propozon një strategji gjithëpërfshirëse për të eliminuar shkaqet rrënjësore të radikalizmit”.

“Hapi i parë është krijimi i një force stabilizimi që përfshin luftëtarë nga të gjitha pjesët e shoqërisë siriane. Vetëm një trup i shumëllojshëm mund t’u shërbejë të gjithë qytetarëve sirianë dhe të sjellë ligjin dhe rendin në pjesë të ndryshme të vendit. Në këtë kuptim, do të doja të theksoja se nuk kemi asnjë argument me kurdët sirianë”, tha Erdogan.

Ai tha se në kushtet e kohës së luftës, shumë sirianë të rinj “nuk kishin zgjidhje tjetër përveç se të bashkoheshin me PYD/YPG-në”.

Duke kujtuar një raport nga Human Rights Watch që nxorri në pah shkeljet e të drejtës ndërkombëtare nga YPG-ja duke rekrutuar fëmijët, Erdogan deklaroi se Turqia do të kompletojë “një proces intensiv të verifikimit” për të ribashkuar fëmijët ushtarë me familjet e tyre.

Turqia ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur mbëshetjen e SHBA-ve për PYD/YPG-në, degën sirianë të organizatës terroriste PKK, si një “aleat të besueshëm” në Siri që ka përfshirë furnizimin e armëve dhe pajisjeve.

Në fushatën e saj terroriste 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja terroriste ka marrë jetën e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra dhe fëmijë.

Përfaqësimi adekuat politik

Erdogan tha se “garantimi i një përfaqësimi të përshtatshëm politik për të gjitha komunitetet është një tjetër prioritet”. Ai tha se ata që nuk kanë lidhje me ndonjë grup terrorist mund të marrin pjesë për të përfaqësuar komunitetet e tyre në qeveritë lokale nën vëzhgimin e Turqisë.

“Këshillat lokal në pjesët kryesisht kurde në veri të Sirisë do të përbëhet kryesisht nga përfaqësuesit e komunitetit kurd, ndërkohë duke garantuar që të gjitha grupet e tjera të gëzojnë të drejtë politike”, tha Erdogan.

Ai tha se zyrtarët turq me përvojë do të funksionojnë si këshilltarë për punët komunale, edukimin, kujdesin shëndetësor dhe shërbimet emergjente.

Shkrimi u publikua një ditë para se presidenti Erdogan të takojë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Bolton.

Një delegacion i lartë i sigurisë kombëtare të SHBA-ve, përfshirë Bolton-in, mbërriti të hënën në kryeqytetin turk Ankara për të diskutuar zhvillimet e fundit, përfshirë edhe ato në Siri.

Delegacioni pritet të takohet me zyrtarët turq dhe të diskutojë mbi koordinimin e sigurisë rajonale ndërmjet Turqisë dhe SHBA-ve, pas vendimit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.