Shtëpi për prindër që nuk janë nga Shkupi, ndërsa fëmijët e të cilëve mjekohen në Repartin e Hematologjisë së Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve, është hapur dje. Në shtëpinë e prindërve ka katër apartamente me nga dy krevate, çdonjëra me toalet të veçantë dhe hapësira të përbashkëta. Në të do të mund të qëndrojnë prindërit, fëmijët e të cilëve mjekohen në klinikë, të cilët nuk kanë mundësi të qëndrojnë në hotel apo diku tjetër, transmeton Portalb.mk.

“Kjo ka qenë barakë e vjetër e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilën Shoqata SANO me ndihmën e donacioneve e ka rinovuar dhe në të do të mund të qëndrojnë prindërit e fëmijëve që mjekohen në Klinikën për Sëmundje të Fëmijëve, të cilët nuk kanë ku të qëndrojnë. Me këtë duam t’ju dalim në ndihmë të gjithë prindërve në momentet më të vështira. Që të mund të qëndrojnë prindërit këtu, duhet të sjellin vërtetim nga Reparti i Hematologjisë të Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve”, tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ai shtoi se prindërit mund të qëndrojnë në këtë shtëpi për derisa zgjat mjekimi i fëmijëve në Klinikë.

Për funksionimin e shtëpisë do të kujdeset Shoqata SANO, ndërsa Ministra e Shëndetësisë do të ndërmarrë veprim rreth shërbimeve.