Ish-pronari i medias, Fahrudin Radonçiq, lideri i një prej partive në koalicionin qeverisës në Bosnjë dhe Hercegovinë ka thënë se do të dëshmojë në gjyqin e të dyshuarit të trafikimit të drogës, Naser Kelmendi në Prishtinë.

Kelmendi, një biznesmen i përfolur kosovar i njohur në Bosnjë dhe Hercegovinë, është duke u gjykuar për planifikimin e një vrasjeje dhe udhëheqjen e një grupi të krimit të organizuar që trafikonin sasi të mëdha të drogave përmes një rrjeti që lidh Afganistanin, Turqinë dhe Bashkimin Evropian.

Në aktakuzë thuhet se Kelmendi, së bashku me disa bashkëpunëtorë ka planifikuar vrasjen e gangsterit boshnjak Ramiz “Celo” Delaliç në vitin 2007, transmeton Klan Kosova.

Radonçiq, kreu i Aleancës për një të Ardhme më të Mirë (SBB) dhe ish-pronari i gazetës më të madhe të Bosnjes “Dnevni Avaz”, është quajtur si një nga bashkëpunëtorët e pretenduar – siç është raportuar në serine e OCCRP “Dy bosët”.

Më 11 janar, policia e shtetit arrestoi Bakir Dautbasic , kandidat i SBB për zëvendësministër të Sigurisë, me dyshimin se ai i ka bërë presion një dëshmitari për të dhënë deklarata të rreme në gjyqin Kelmendi. Operacioni policor është koduar “Doll 2” dhe është vazhdim i operacionit policor “Doll”, në vitin 2012, i cili në shënjestër kishte Kelmendin dhe bashkëpunëtorët e tij të dyshuar.

Pas arrestimit, SBB lëshoi një deklaratë për shtyp duke i bërë thirrje gjykatës shtetërore për “të ndaluar përpjekjet në eliminimet politike”.

Sipas televizionit publik të Bosnjës (BHRT), prokurorët thonë se Dautbasic së bashku me ish-zyrtarin e Qeverisë Bilsena Sahman, i cili gjithashtu është duke u gjykuar në këtë rast i kanë bërë presion të dashurës së Delalic, Azra Saric për të ndryshuar dëshminë e saj, në mënyrë që të mrbojë si Kelmendin ashtu edhe Radonçiq.

Loading...