Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku ka thënë se Gjykata Speciale nuk do të zbardhë vrasjet e pasluftës, e as vrasjen e babait të deputetes së LDK-së, Doruntina Maloku.
Klinaku, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se edhe pse familjarët e të vrarëve shpresojnë se Specialja do të zbardhë vrasjet, kjo sipas tij nuk do të ndodh.

“Ata [familjarët e të vrarëve pas luftës] mendojnë se [Gjykata Sepciale] do t’i zbulojë [vrasjet], por unë do t’iu them publikisht se [Gjykata Sepciale] nuk do të zbulojë asgjë”, tha ai.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se fakt se nuk do të zbulohen këto vrasje është se UNMIK-u as EULEX-i nuk i ka zbardhur këto vrasje.

“I kemi faktet. Drejtësi ndërkombëtare e ke pas UNMIK-un, EULEX-in dhe tash Gjykatën Speciale. Ata veç kanë bërë lojra me opinionin”, tha Klinaku.

Klinaku ka thënë se OVL UÇK ka kundërshtuar Specialen sepse ajo është e njëanshme.

“Kundërshtimi ynë kryesor ka qenë, sepse po bëhet gjykatë e njëanshme dhe nuk po gjykohen krimet. Serbia pushtuese ka bërë krime në Kosovë dhe nuk po ndiqet nga askush. Prandaj kemi qenë kundër kësaj gjykate”.

“…Partitë politike kanë qenë servile ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe ndaj ambasadorëve dhe nuk kanë themeluar një Gjykatë Speciale që do të hetonte të gjitha krimet në Kosovë”.

Klinaku ka thënë se çdokush ka të drejt të dijë se çka ka ndodhur me babain e tij, por kur kanë qenë në pushtet nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e rasteve.

“Faktikisht i kanë përdorë për vota elektorale dhe asgjë nuk kanë bërë në këtë drejtim për babain e tyre”, shtoi më tej Faton Klinaku.

Loading...