Bankat komerciale kanë arritur t’i fitojnë rreth 400 milionë euro neto për pesëmbëdhjetë vjet në Kosovë, vendin më të varfër në Evropë. Një të tretën e këtij fitimi, bankat komerciale e kanë realizuar vetëm në dy vjetët e fundit.

Këtë fitim milionësh bankat e kanë arritur kryesisht duke kredituar me normat më të larta të interesit, por edhe nga provizionet për shërbime. Për shumë vite, norma mesatare e interesit në kredi ka qenë mbi 15 për qind. Bizneset janë obliguar që pjesën ma të madhe të fitimit t’ua paguajnë bankave. Për 12 vjet, bankat kanë kredituar 8.1 miliardë euro, shkruan sot “Koha Ditore”.

Niveli i lartë i interesit që bankat kanë aplikuar për kredi ka qenë burimi kryesor i profitit të tyre dhe i rritjes së vlerës së aseteve. Për 15 vjet, bankat në Kosovë kanë pasur një profit neto prej 398 milionë eurosh, ndërsa asetet e tyre kanë arritur në 3 miliardë e 339 milionë euro.

Niveli i lartë i kamatave dhe pamundësia për kreditim janë parë për më shumë se 14 vjet si një nga barrierat kryesore për të bërë biznes në Kosovë. Shumë nga privatizimet që janë bërë në Kosovë janë financuar nga bankat me norma të larta të interesit, duke bërë që shumë nga to të falimentojnë për shkak të pamundësisë për të qenë ekonomikisht të qëndrueshme