Kryeministri i Francës, Edouard Philippe tha se do të nxjerrin një ligj të ri për të dënuar ashpër ata që mbajnë protesta pa leje dhe ata që përdorin dhunën në protesta.

Philippe në një deklaratë për televizionin TF1 ka thënë se “Nuk mund të pranojmë ata që vijnë në protesta për të shkaktuar ngjarje të dhunshme”. Sipas tij, për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve që kanë shkaktuar protestat e “Jelekëve të Verdhë” do të nxjerrin një ligj të ri për të dënuar ashpër ata që mbajnë protesta pa leje dhe ata që përdorin dhunë gjatë tyre.

Ai ka njoftuar se në ngjarjet e “Jelekëve të Verdhë” që kanë filluar më 17 nëntor 2018 e deri tani janë ndaluar 5,600 persona dhe se më shumë se 1,000 prej tyre kanë marrë dënim me burg.

Kryeministri francez Philippe thekson se rreth 80 mijë forca të policisë do të jenë në detyrë gjatë protestave që “Jelekët e Verdhë” do të zhvillojnë në të gjithë vendin të shtunën.

Protestat e “Jelekëve të Verdhë”, të cilat filluan si një reagim ndaj rritjes së taksave të karburantit dhe u zhvilluan në një kryengritje kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, janë shndërruar në protestat më të dhunshme të viteve të fundit në vend. /Telegrafi/