Në sytë e Le Pen, kjo fitore në zgjedhje lokale sanksionon futjen përfundimtare të Frontit Nacional në familjen e “partive të mëdha”

Ngjitja e Frontit Nacional në Francë ka ndodhur si në librat mësimorë. E kjo fare thjesht sipas motos: Si mund ta bëj një parti ekstremiste të djathtë të pranueshme në shoqëri? Arritja e vendit të parë në zgjedhjet rajonale është kryevepra e kryetares së partisë, Marine Le Pen. Pa asnjë drojë shfrytëzohen reminishencat e zgjedhësve, përdoret një retorikë e kontrolluar deri në atë masë sa ajo të jetë e paprekshme në aspektin juridik, valëviten flamuj me bollëk dhe reklamohet vetja me etiketën e patriotit të vetëm të vërtetë.

Rikthimi i ekstremistëve të djathtë në Evropë

Me krahasimet historike duhet të kesh gjithmonë kujdes. Por në sfondin e historisë gjermane të rrëqethet mishi. A është Fronti Nacional dhe a janë nacionalistët Kazhinski, që erdhën në pushtet në Poloni, ngjashëm të rrezikshëm si edhe fashitët gjermanë në vitet 30-të të shekullit të kaluar? Nëse ata ende nuk janë të tillë, potencialisht mund të jenë të tillë. Shabllonet ngjajnë shumë: përjashtimi i një grupi shoqëror, ksenofobia dhe nacionalizmi janë të përbashkëtat. Në Francë tani myslimanët shërbejnë si kokë turku shoqërore, duke u stigmatizuar si ata që rrezikojnë identitetin “e francezëve të vërtetë” dhe që duhen luftuar. Deri këtu, tmerrësisht të ngjashëm. Nuk duhet rënë në kurthin e Marine Le Pen, ajo nuk është demokrate dhe partia e saj nuk është e parrezikshme, Përkundrazi, ajo është mjaft e rrezikshme. Qëllimi i vetëm i saj është pushteti në Francë.

Çfarë i shtyn francezët në vetëvrasjen politike?

Nga një këndvështrim francezët mund t’i kuptosh. Partitë e forta deri më sot, socialistët dhe republikanët, janë larguar nga populli dhe kanë humbur kredibilitetin për shkak të një serie të pafundme skandalesh. Ka vërtet nevojë për një kthesë, e përforcuar kjo edhe prej paaftësisë së presidentit, Francois Hollande, për ta vënë në lëvizje ekonominë dhe për të vënë nën kontroll papunësinë. Një pjesë e madhe e votave të Marine Le Pen vjen nga të humburit e shoqërisë franceze dhe ajo pretendon se pikërisht atyre po u jep një zë.

Ndërkohë që programi ekonomik i Frontit Nacional është një marrëzi e tërë dhe premtimet e tij janë boshe. Mbyllja e kufijve me vendet fqinje dhe dalja nga BE-ja nuk gjenerojnë impulse për koniunkturën. Një Francë, që izolohet dhe ushqen idenë e djeshme të identitetit kombëtar, as nuk tërheq investitorë dhe as nuk mund të ngjitet në nivelin e mbretit të eksportit. Bujqit francezë do të habiten kur papritur të mungojnë subvencionet nga Brukseli, me të cilat ata janë ambientuar prej dekadash. Po ashtu, Fronti Nacional as nuk do të mundë t’i rrisë më tej shërbimet sociale dhe as nuk do të mundë të krijojë vende të reja pune për të gjithë francezët në strukturat e kalçifikuara ekonomike.

Zgjedhjet rajonale, një e shtënë paralajmëruese

Marine Le Pen ka një synim e ky është Pallati Elysée. Por rruga deri atje është ende e gjatë e ndoshta në vitin 2017 mjaft zgjedhës do të mblidhen rreth një kandidati të republikanëve për ta penguar marshin e saj. Por, rezultati i këtyre zgjedhjeve rajonale është një e shtënë paralajmëruese, se francezët nuk janë më imunë ndaj joshjes së ekstremistëve të djathtë dhe nuk i kanë parasysh pasojat e vendimit të tyre. Duket se është pikërisht taktika e mashtrimit ajo që josh. Përveç kësaj ka efekt edhe më shumë utopia e idesë së një të ardhmeje si ajo e kaluara e artë, kur burrat francezë ishin krenarë, gratë e bukura dhe të gjithë ishin të pasur. E për këtë këndohet Marseillaise dhe valëviten flamujt kuq-bardh-blu. Është një idil i kopshtit të gjelbëruar, pas të cilit shkojnë qytetarët e lodhur prej modernes. Ndërsa partitë si Fronti Nacional i zgjojnë të tilla emocione dhe luajnë me to./DW