Shkruan: Ismail Sinani

Kur fillon të hulumtosh se çfarë është shteti, të dalin një mori definicionesh, duke filluar nga “krijimi i bashkësie moderne si formë e re e organizimit të një shoqërie moderne”, e deri te mendimet se “shteti është rezultat i një procesi historik e sociologjik…”… Por, në përgjithësi, definicioni më i fuqishëm për shtetin duket se është ky: “Shteti është shprehje e nevojës që ndien shoqëria për ekzistencën e një pushteti të organizuar, të pajisur me mjetet e duhura të shtrëngimit dhe të aftë për ta drejtuar vetë shoqërinë, duke i imponuar zgjidhjet që atij i duken të arsyeshme, nëpërmjet normave juridike”.

E ç’është Maqedonia në këtë rast? “A është shprehje e nevojës që ndien shoqëria për ekzistencën e një pushteti të organizuar?”, “a është e pajisur me mjetet e duhura të shtrëngimit dhe të aftë për ta drejtuar vetë shoqërinë?”, “a është e aftë t’i imponojë zgjidhje shoqërisë që i duken asaj të arsyeshme?” Që në fillim duket sheshazi se, të paktën, në dy nga këto tri pyetje, shteti i quajtur Maqedonia, tashmë e Veriut, nuk mund të përgjigjet pozitivisht. Ndërsa në të tretën pjesërisht.

Parashtrohet pyetja se çfarë ishte dhe çfarë u bë tani Maqedonia, e krijuar fillimisht nga Tito dhe tani e suportuar nga SHBA-të, Turqia dhe dy-tre vende të tjera?

Maqedonia në mes të shekullit të kaluar ishte si një dramë e harruar në rafte, por që asnjëherë nuk ishte vënë në skenë. Tito ishte ai që nuk u druajt dhe pa i ditur askush deri më sot saktë motivet e tij, e vendosi në skenë para publikut duke ia dhënë shkëlqimin e parë. Zhdërvjelltësia e tij arriti ta ngrejë dhe ta mbajë gjallë për disa dekada, derisa dikush tjetër filloi që këtë copëz të Jugosllavisë së atëhershme ta shohë në kuadër të konturevetë një “vije të re të Teodosit”.

Problemi i ri që u shtrua papritur në fund të viteve të ’90-ta, e që në vete kishte përplot antagonizma dhe papritshmëri, e besa edhe shumë batuta, tashmë me një shkathtësi të madhe ishte marrë nën kujdesin e Superfuqisë të asaj kohe dhe Fuqisë më të madhe të ditëve tona. Pak më shkathtësi të dialogut, pak me një ashpërsi më të madhe në komunikim, pak me zhdërvjelltësi e me një mjeshtëri të paparë, e shpëtoi këtë vend – më fragjilin në gjithë kontinentin.

Pa bërë as edhe një diskutim të provave, pa i analizuar fare elementët që dalin nga definicioni i të qenit shtet, arritën, me të gjithë “mekanizmat” dhe akrobacionet, ta pagëzojnë me një emër të ri, duke krijuar kështu një rregull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe, sot të gjithë ata “ndërkombëtarë”, që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë proces, mund të krenohen se “kanë krijuar një vepër të shkëlqyeshme”.

Por, ndonëse drama tani me sukses po luhet në skenë, a mund të thuhet se tema e saj është kumptimplote, a mund të themi se aktrimi brenda saj po zhvillohet pa problem, a mund të themi se ajo nuk vazhdon të prodhojë konflikt mes aktorëve? Gjithsesi se jo. Ky vend, që sot po trajtohet me eufori, brenda për brenda, ndonëse në heshtje, në një farë mënyre ende vazhdon të gufojë. Ca nga ata që e shohin si monopol të tyre, qofshin të majtë ose të djathtë, ca nga shqiptarët, si kombi më dinamik në rajon, i cili kurrë nuk do të bëhen rehat derisa dikush t’ua futë të drejtat në kornizë juridike, duke u thënë: “ja këto të takojnë ty, mos kërko me shumë!”.

Shqiptarët i njohin vlerat e vetvetes, i njohin edhe kapacitetet, i respektojnë edhe miqtë, e kuptojnë edhe melankolinë e nomenklaturës politike (shqiptare), por ama e kuptojnë edhe evoluimin e proceseve që po ndodhin në rajon.

Marrëveshja Kosovë-Serbi, ndryshimi i kufijve, krijimi i një shteti të ri më të madh shqiptar në rajon ose edhe i dy shteteve të reja, duhet t’i skandalizojë të gjithë ata që nuk duan ta kuptojnë realitetin e “rendit të ri në Ballkan”.

Para më shumë se 100 vjetësh, edhe ambasadorët e kohës kishin menduar se përmes cungimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke krijuar favore për serbët, malazezët dhe grekët, do të krijojnë paqe në Ballkan. Por, u pa se kjo nuk u arrit. A po përsëritet sot historia? Edhe po, edhe jo. Pas 100 vjetësh a do të përsëritet historia? Ndoshta po e ndoshta jo.

Çështja e kufijve është e ndjeshme. Paria “inteligjente”, që sot u paraprinë proceseve është mirë ta ketë parasysh se “kompromiset e së sotmes” janë “pasojat e nesërmes”. Aq më tepër kur askush nuk mund ta thotë me saktësi nëse “Maqedonia e Veriu në NATO” dhe “Kosova ose Shqipëria me kufij të ri” është garanci për paqe të përhershme në rajon?!

(Editoriali i Revistës SHENJA)

Loading...