Leo Messi ndau në rrjetet e tij sociale një mesazh mbështetjeje për bashkatdhetarin e tij, Emiliano Sala, i cili u zhduk të hënën mbrëma, ndërsa po kalonte kanalin e Anglisë (La Manche) me fluturim ajror për në Cardiff.

Ylli i Barçës, përmes llogarisë së tij në Instagram, iu bëri thirrje shërbimeve të hetimit që të rifillojnë kërkimet për bashkatdhetarin e tij, përderisa mbetet ende një fije shprese:

“Përderisa ekzistojnë mundësitë, një fije shprese, ju lutemi mos ndaloni për gjetjen e Emilianos. Unë po lutem me të gjithë forcën për familjen dhe miqtë e tij”.

Megjithatë, policia në ishullin “Guernsey” njoftoi të enjten se kërkimet për aeroplanin e humbur, në të cilin futbollisti dhe piloti po udhëtonin, u pezullua për shkak të mundësive tepër të pakta për të mbijetuar.

“Ne kemi qenë vazhdimisht në kërkim, për rreth 24 orë, me 80 orë fluturime të kombinuara mes tre avionëve të lehtë dhe pesë helikopterëve, – tha kapiteni David Barker në një deklaratë zyrtare. – Mendimet e mia janë me familjen e pilotit dhe të udhëtarit në këto kohë të vështira”.

Në ditët e fundit, lojtarët e futbollit, klubet dhe institucionet e ndryshme kanë shprehur shqetësimin e tyre dhe kanë ndarë forcën mbështetëse përmes hashtagut “#PrayForSala”. Cardiff lëshoi një deklaratë, që shprehte pikëllimin e madh: “Në këto kohë trishtimi të paimagjinueshëm, mendimet tona janë me familjen dhe miqtë e dy burrave që gjendeshin në bordin e avionit dhe me tifozët e Nantes e të Cardiffit”.

Pavarësisht nga pezullimi i kërkimit aktiv të lojtarit, policia e ishullit ka konfirmuar se do ta mbajë të ngritur operacionin, derisa të gjenden të zhdukurit.

Loading...