Europianët i besojnë më shumë Putinit dhe presidentit kinez kur është puna për të bërë gjënë e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare, sesa presidentit amerikan, Donald Trump. Konkluzioni ka dalë nga një sondazh i kryer nga instituti kërkimor amerikan, Pew Center.

Gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku u bënë të ditura gjetjet e sondazhit, u fol për një erë të re në garën mes fuqive të mëdha botërore.

Merkel dhe Macron, më të besuarit

Kancelarja gjermane rezulton si liderja më e besueshme në shtatë liderët botërorë, për të cilët janë pyetur njerëzit që morën pjesë në sondazh. Ajo ndiqet nga presidenti francez, Emanuel Macron, pavarësisht rënies së popullaritetit në vendin e tij për shkak të protestave të “jelekëve të verdhë”.

Shumica e të pyeturve në vende si Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia i mbështesin ata. Në mënyrë të veçantë, gjermanët dhe francezët vlerësojnë liderët e njëri-tjetrit.

Europianët me sytë nga Lindja

Megjithatë, ndërsa shumica e amerikanëve kanë besim te liderët europianë, francezët dhe gjermanët nuk “ua kthejnë nderin”. Vetëm 10% e gjermanëve dhe 9% e francezëve thonë se kanë besim te presidenti Trump.

Në vend të kësaj, më shumë se dyfishi i tyre besojnë se Putin dhe Jinping do të bënin gjënë e duhur në lidhje me çështje që kanë rëndësi botërore.

Disa konkluzione të tjera

Në bazë të sondazhit, Trump rezulton lideri i vetëm që nuk ka shumicën e besimit të qytetarëve të tij, 48%. Në anën tjetër të spektrit, 81% e rusëve kanë besim se lideri i tyre po bën gjënë e duhur. Ky është edhe niveli më i lartë i besimit që ka dalë nga sondazhi.

Europa e papërgatitur

Rezultatet e sondazhit u bënë publike në Konferencën e Mynihut për Sigurinë, në të cilën diskutohen politikat e sigurisë. Eventi i këtij viti vjen pasi Rusia dhe SHBA-të njoftuan planin për t’u tërhequr nga Traktati Atomik, që kërkon heqjen nga Europa të raketave bërthamore me rreze 500-5000 km.

Wolfgang Ischinger, kryetar i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, shprehet se “një epokë e re e konkurrencës së fuqive të mëdha po zhvillohet midis Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë, e shoqëruar nga njëfarë vakumi lidershipi në atë që sot njihet si rendi ndërkombëtar liberal”.

Raporti paralajmëron se Bashkimi Evropian, në mënyrë të veçantë është i papërgatitur për një epokë të tillë. (TemA TV)

Loading...