Përkundër protestave çdo të shtune në Beograd qysh prej fillimit të dhjetorit, duket se për momentin shanset janë të pakta të bjerë qeveria e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, komenton gazeta franceze “La Croix”.

Në një tekst mbi protestat e qytetarëve të pakënaqur të Serbisë, eksperti për Ballkan nga Qendra Ndërkombëtare Hulumtuese e Fakultetit të shkencave politike në Paris Jacques Rupnik ka deklaruar për këtë gazetë se për momentin shanset janë të vogla që të bjerë qeveria.

“Opozita është shumë e llojllojshme, prej të majtës radikale deri te e djathta radikale por edhe ekstreme. Për momentin opozita nuk është mjaftë e bashkuar për të paraqitur alternativë të vërtetë dhe për këtë nuk paraqet kërcënim për pushtetin”, ka vlerësuar Rupnik.

Gazeta shkruan se brenga e vetme e qytetarëve në protesta është presioni i pushtetit në medie.

“Edhe pse nuk ekziston censura në plotë kuptimin e fjalës, kanalet kryesore informative të cilët kanë shikueshmëri më të madhe, gjenden nën kontroll”, ka vlerësuar Rupnik.

Gazeta franceze ka shtuar se “dhuna politike, mbyllja e gojës së shoqërisë civile dhe kontrolli në rritje të medieve paraqesin një nga arsyet kryesore të pakënaqësisë së qytetarëve”, mirëpo “pushteti edhe më tutje po e injoron këtë dhe nuk frikohet për mbijetesën e tij”.