SHAQIR ISLAMI

Tashmë një kohë të gjatë jam duke vëzhguar sagën dhe përpëlitjet e gazetarëve në vendin tonë. Përshtypjen time më së miri e përshkruan një thënie e ndjerë pastë gjyshit tim Mexhid: “Sillen si pordha nëpër brekë”. Gazetaria mundohet të del nga kurthi të cilën e thuri vet. Kjo gazetari e sëmurë e ushqeu dhe e kultivoi gjuhën e urrejtjes në shoqërinë tonë të brishtë shumë-etnike. Së pari e nisën gazetarët, sepse çdo gjë nis me fjalën, duke nxitur urrejtjen në shoqëri me fjalë të helmuara me urrejtje, paragjykime, stereotipe, në këtë mënyrë i rrënonin themelet e demokracisë në vend, qoftë me dije, qoftë pa qëllim. Politika dhe gazetaria janë bashkëfajtorë në rrënimin e kohezionit shoqërorë, parimet e demokracisë e bashkë me të dhe vet themelet e demokracisë dhe të shtetit. Gazetaria sakate e shpërfytyroi demokracinë. Përgjegjësia i rëndon barabar të dy zanatet, jo vetëm politikën. Zullumi është i paparë.

Politika dhe gazetaria janë të ngatërruar si zorrët. Jo gjithmonë janë  në luftë. Ka edhe kohëra paqeje mes tyre.  Ndonëse për shëndetin e shoqërisë,  gjithmonë, këto të dy, duhet të jenë në luftë me njëra tjetrën. Përndryshe nuk ka kuptim demokracia. Loja e demokracisë është e kurdisur si e tillë. Gazetaria duhet ta ndjek, ta hulumtojë, ta zbulojë, ta kritikojë, ta korrigjojë dhe ta kundërshtojë politikën dëm-bërës dhe politikë-bërësit keqbërës. Ajo ndërmjetëson në procesin e komunikimit politik. Ndërmjetëson dhe shërben si kanal i komunikimit midis politikanëve dhe qytetarëve. Ky proces në masën më të madhe kryhet përmes gazetarëve. Gazetaria është avokati i bashkësisë dhe interesit publik. Ka për detyrë ta zgjojë qytetarin nga apatia dhe ta nxit për diskutim; ta shtytë pjesëmarrjen aktive të individit në proceset e ndërtimit të demokracisë; ta trimërojë që ta ngrejë zërin, ta shpreh mendimin kritik, ta zhvilloj diskursin social dhe politik për ta mbrojtur interesin publik përmes të cilit e mbron interesin vetjak. Allo, gazetaria bart  përgjegjësi të madhe për zhvillimin e shoqërisë.

Gazetaria informon, argëton, edukon dhe arsimon. Pra, mallin që e prodhon ajo duhet t’i përmbajë këto katër përbërës themelorë. Ndërsa gazetaria në vendin tonë ka qenë sakate, edukimin dhe arsimimin e ka dështuar, nuk i ka përshtatur natyrës dhe nevojave të shoqërisë. Dhe kjo ka ndikuar në helmimin e shoqërisë me frikë dhe urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Dhe është fajtorë më i madh se politika për shkatërrimin e kohezionit social.

Prandaj, gjendja e këtij zanati në Maqedoni, është E mjerë. Aspak nuk dallohet nga gjendja mjerave e politikës. Këta të dy e kushtëzojnë veprimtarinë e njëra tjetrës. Gjendja politike e pasqyron gjendjen e gazetarisë. Dhe anasjelltas. Jam i bindur se që të dy lëngojnë nga sëmundja e njëjtë e etno-nacionalizmit të përzier me nacionalizmin-religjioz. Kjo është një koktej i sëmundjes vdekjeprurëse për çdo shoqëri, për çdo shtet. Klithmat e gazetarisë për shoqërinë e sëmurë, janë klithma për sëmundjen e vetë. Gazetaria e ka fajin kryesorë për gjendjen e krizës së thellë në shoqëri. Tashmë një kohë të gjatë, ky zanat gjendet në një krizë të thellë morale dhe profesionale. Fajin e ka vetë, më kot mundohet ta fajësojë politikën. Shumë vonë iu ka kujtuar gazetarisë që të shkëputet nga bashkëfajësia për rrënimin e vlerave demokratike në shoqërinë tonë. Bash kjo gazetari i ushqeu politikat shkatërruese të Gruevskit dhe Alimendullarëve më shumë se një dekadë. Ky zanat në vendin tonë nuk është më pak i korruptuar se Politika. Prandaj, nuk ka pasur gazetari profesionale, kurrë. Ky zanat ka qenë dhe është sahanlëpirës, dhe deri sot gjithmonë i ka ndenjur politikës nën sofër, ashtu siç rin macja ime “Madona” duke pritur ndonjë koc për ta lëpirë. Dhe politika kështu e trajton, sepse ka qenë dhe është ende partizane dhe pa dinjitet.