Televizioni francez “Canal+”, ka transmetuar një dokumentar për “hetimin e veçantë”, që flet për kontrabandimin e kallashnikovëve nga Shqipëria në Francë.

Dokumentar i gazetares zvicerane Vanina Kanban, i titulluar “Rruga e kallashnikovit”, flet për mënyrën se si kallashnikovët që janë përdorur më parë vetëm nëpër fushëbeteja, tani mund të gjenden në sasi të mëdha kudo nëpër Evropë, transmeton Telegrafi.

Dokumentari është transmetuar disa ditë më radhë para përvjetorit të sulmeve ndaj stafit të revistës satirike “Charlie Hebdo”, ku terroristët kanë përdorur vetëm kallashnikovë. I njëjti model i armës është përdorur edhe në sulmet e fundit në Paris, që lanë të vrarë 130 persona, ndërsa është konstatuar se këto armë ishin prodhuar gjatë viteve të 80-ta në fabrikën e armëve në Kragujevc të Serbisë.

Për t’u infiltruar në disa grupe terroriste, Kanban në prill të vitit 2014 udhëtoi për në Shqipëri, dhe pa ndihmën e askujt ka ndjekur rrugëtimin e kallashnikovëve që transportoheshin nga Shqipëria për në Evropë.

Pasi arriti në Shqipëri, ajo u takua me tregtarët e armëve dhe me njerëzit që i transportonin këto armë në Evropën Perëndimore.

Gazetarja zvicerane kishte pyetur njërin nga kontrabandistët nëse është i vetëdijshëm se këto armë po vrasin njerëz në Evropë, por përgjigja ishte fare e thjeshtë: ‘Gjithçka ka të bëjë vetëm me biznesin’.

Gjatë rrugëtimit të saj, kontrabanduesi ia kishte tërhequr vërejtjen se nëse ndalohen nga Policia, ajo duhet t’iu thotë se po bëjnë një reportazh për plazhet dhe turizmin në Shqipëri, dhe nëse ia marrin kamerën ajo patjetër duhet ta heq dhe ta fsheh kartën e memories në të brendshme, sepse mund të mbesë ‘pa kokë” nëse zbulohen.

Gjatë intervistës që e kishte zhvilluar me një person që merret me armë, i është thënë se nga kjo punë fiton 25 mijë euro në vit, dhe se ka frikë për atë që bën por se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të mbijetuar.

Loading...