Kur një megaprojekt nuk ka domethënie tregtare, atëherë ka dy mundësi. Ose investitorët e tij janë budallenj, ose kanë arsye të tjera të cilat nuk i kanë bërë publike, shkruan The Economist.

Duke qenë se Vladimir Putin nuk është aspak budalla, përkundrazi, dhe duke supozuar se gazsjellësi i tij i preferuar nuk është aspak një sipërmarrje biznesi, atëherë budallenjtë i bie të jenë europianët, në veçanti gjermanët.

Së fundmi, pas presioneve të vazhdueshme gjermane, Bashkimi Europian ra dakord se si rregullat e saj të energjisë do të zbatohen për gazsjellësin Nord Stream 2, me kosto 11 miliardë dollarë dhe që do të jetë rreth 1,200 km i gjatë. Si rezultat, është e sigurt se projekti do të vazhdojë, edhe pse mund të këtë disa vonesa të vogla. Ai do të fillojë nga Vyborg në perëndim të Rusisë, do të kalojë përmes Detit Baltik për në Greifswald, në verilindje të Gjermanisë. Puna mbi këtë projekt filloi vitin e kaluar dhe mund të përfundojë në fund të këtij viti. Ekonomikisht, ky është i panevojshëm.

Nuk ka mungesë të kapaciteteve në rrjetet ekzistuese ruse, të cilat shkojnë nga Lindja në Perëndim, kryesisht përmes Ukrainës dhe Polonisë, ose përmes tubacionit ekzistues Nord Stream 1 direkt në Gjermani. Kërkesa europiane për gazin e importuar, për shkak të efikasitetit energjetik, kërkesës së dobët për prodhim dhe rritjes së burimeve të ripërtëritshme, nuk pritej se do të arrinte në një nivel që do të kërkonte krijimin e një tubacioni të ri brenda një kohe të shkurtër. Dhe jo për çudi, gjiganti më i madh i energjisë shtetërore të Rusisë, Gazprom, është aksioneri i vetëm i këtij projekti. Synimet e vërteta të projektit janë politike dhe ekzistojnë tri aspekte kryesore në këtë drejtim.

Së pari, gazsjellësi Nord Stream 2 dëmton drejtpërsëdrejti Poloninë dhe Ukrainën, dy shtete më të cilat z. Putin nuk i ka aspak mirë marrëdhëniet, ndërkohë që njërën prej tyre, Ukrainën, ai e pushtoi në vitin 2014. Aktualisht, shumica e gazit rus që transportohet në Europë kalon përmes Ukrainës.

Gazsjellësi Nord Stream 2 do t’ia lehtësojë Rusisë reduktimin e furnizimeve në Ukrainë pa ndikuar në Gjermani; do të ndalë Ukrainën nga përfshirja e Gjermanisë në një mosmarrëveshje me Rusinë duke ndërhyrë me furnizimin e gazit dhe kjo do ta privojë qeverinë e Ukrainës nga tarifat e tranzitit.

Anashkalimi i Ukrainës (dhe i Poloninë, për të cilën do të zbatohet e njëjta skemë por në një masë më të vogël) është pika kryesore (siç ishte edhe ajo e sipërmarrjes së mëparshme që dështoi, Rrjedhja e Jugut). Nord Stream 2 është një justifikim i mundshëm për të forcuar praninë ushtarake të Rusisë në rajonin Baltik. Kjo gjë ka krijuar shqetësim të madh jo vetëm në mesin e shteteve baltike, por edhe tek ato nordike si edhe në Poloni. Nëpërmjet këtij gazsjellësi synohet që të rritet varësia e Europës ndaj energjisë ruse.

Duke anashkaluar vendet tranzitore dhe tarifat, Rusia do të jetë në gjendje që të taksojë më pak blerësit e saj, dhe kjo do të jetë në favor të Gjermanisë të paktën në një kohë të shkurtër. Por mbështetja e mëtejshme ndaj Rusisë është në kundërshtim me politikën e BE-së, e cila në dekadën e fundit e ka theksuar faktin për diversifikimin e furnizimit energjetik të saj, pjesërisht për arsye sigurie.
Një aspekt i kësaj politike ishte që t’u kërkohej furnizuesve të gazit që të ishin më të hapur dhe transparentë në lidhje me kostot e tyre, për të siguruar një konkurrencë sa më të drejtë dhe për të parandaluar subvencionet shtetërore. Në veçanti, prodhimi i gazit ka për qëllim që të ndahet nga transporti i tij.

Përpjekja për të zbatuar këtë rregull për gazsjellësit, që e ka origjinën nga shtete të tjera jashtë vendit, si Nord Stream, u sqarua javën e kaluar. Rregullatorët gjermanë do të kenë përgjegjësinë për zbatimin e rregullave energjetike pro-tregut të BE-së. Komisioni Europian, nga ana tjetër, do të vendosë disa mbikëqyrës. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duket se vlerëson më shumë energjinë e lirë në krahasim me sigurinë europiane.

Kjo është e nxituar. Ashtu siç Rusia tregoi në vitin 2006 dhe 2009, kur kufizoi rrjedhën e gazit përmes Ukrainës, ajo është sërish e gatshme të përdorë gazin si armë politike. Së fundi, gazsjellësi Nord Stream ka ndarë aleatët perëndimorë, duke vendosur Europën Lindore kundër Europës Perëndimore dhe ka krijuar mosmarrëveshje ndërmjet Europës dhe Amerikës, ku kjo e fundit e ka kundërshtuar shumë këtë gazsjellës.
Nën drejtimin e Presidentit Donald Trump, i cili dëshiron që Gjermania të importojë gazin amerikan, ai mund ende të vendosë sanksione ndaj firmave pjesëmarrëse.

Me pak fjalë, gazsjellësi Nord Stream 2 mund ta bëjë Ukrainën, Poloninë dhe shtetet baltike më pak të sigurta, të kërcënojë strategjinë energjetike të BE-së, t’i japë Rusisë përparësi në drejtim të kërcënimit të Europës Perëndimore dhe të krijojë mosmarrëveshje midis aleatëve të NATO-s. Pë z. Putin, shkarkimi i kaq shumë problemeve kundrejt vlerës prej 11 miliardë dollarësh duket si një ujdi shumë e mirë, ndërsa për Europën kjo nuk është gjë tjetër veçse një kurth.

Ajo çfarë të bën përshtypje dhe habi është se përse Gjermania ka rënë në këtë kurth dhe pse ajo po mundohet që të tërheqë në të edhe Francën. Që nga pushtimi i Ukrainës, znj. Merkel u kthye në një nga mbështetëset më të mëdha të BE-së në drejtim të frenimit të Rusisë. Por ndoshta kërkesat e biznesit gjerman, të cilat janë rritur që nga viti 2011, kur ajo mori vendimin e gabuar për të mbyllur stacionet e energjisë bërthamore, bien ndesh me gjithçka tjetër. Ose ndoshta është në lojë diçka edhe më e madhe se kjo.
Në këtë drejtim, znj. Merkel gjen mbështetje tek anëtarët e Partisë Social Demokrate, të cilët janë ndër mbrojtësit më të flaktë të gazsjellësit Nord Stream 1 dhe 2.

Socialdemokrati, Gerhard Schröder, një ish-kancelar gjerman, tani është pjesë e bordit të Nord Stream 2 dhe Rosneft, gjigantit të naftës ruse. Asnjë nuk e ka vërtetuar se deri më tani se cila prej pretendimeve të mësipërme kanë influencuar politikën gjermane ndaj Rusisë, por numri i gjermanëve të alarmuar është i madh nga një mundësi e tillë. Ndërsa z. Putin, si gjithnjë, është i lumtur të krijojë dyshime të tilla./monitor