Avokati i presidentit amerikan Donald Trump, Rudy Giuliani, tha se ai “asnjëherë nuk ka thënë se nuk ka pasur marrëveshje të fshehtë” ndërmjet Rusisë dhe anëtarëve të fushatës së presidentit në vitin 2016.

Deklaratat e Giulianit, të bëra për rrjetin televiziv CNN, janë në kontraditë të drejtpërdrejtë me deklarimet e presidentit Trump, i cili disa herë ka përsëritur se nuk ka pasur bashkëpunim me Rusinë, gjatë fushatës së tij të suksesshme për në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë Giuliani e përshkroi idenë e bashkëpunimit me Rusinë si “një lajm tërësisht të rremë”.

Por, ai tha se edhe nëse disa nga fushata e Trumpit kanë vepruar diçka gabim, nuk ekziston “asnjë dëshmi e vetme” që e ndërlidhë presidentin me Rusinë, raporton Reuters.