Gjermania e ka vazhduar ndalesën e përkohshme për eksportin e armëve në Arabinë Saudite, për shkak të rolit të autoriteteve të vendit në vrasjen e gazetarit Xhamal Kashogi.

Embargo gjermane duhej të përfundonte më 9 mars, por ministri gjerman për punë të jashtme, Hajko Mas dje ka deklaruar se do të vazhdojë deri në fund të muajit, me qëllim qeveria të ketë më shumë kohë të vlerësojë angazhimin ushtarak në Arabinë Saudite në ushtrinë në Jemen, njofton Al Xhezira.

“Besoj se lufta në Jemen duhet të përfundojë sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka thënë Mas pas takimit në kabinetin e kancelares gjermane Angela Merkel.

“Jo vetëm që licenca për shitjen e armëve nuk do të jepet deri në fund të marsit, por edhe ata të cilat janë miratuar nuk do të realizohen”, ka shtuar ai.

Gjermania ka vendosur ndalesë të njëanshme për eksportin e armëve në Arabinë Saudite në tetor të vitit të kaluar, pasi Xhamal Kashogi, gazetar i “Uashington Postit” dhe kritikues i pushtetit të Riadit është varë në konsullatën saudite në Stamboll.

Por, prej atëherë Gjermania është nën presion të Britanisë së Madhe dhe Francës që të heq embargon, pasi bashkërisht i pengon që t’i shesin armë Arabisë Saudite e cila përfshin pjesë gjermane. Për shkak të kësaj, në pikëpyetje janë miliarda dollarë, përfshirë edhe blerjen e 48 avionëve “Eurofajter Tajfun” në vlerë prej 13.13 miliardë dollarë, thekson “Al Xhezira”./MIA