Berat Gjimshiti është zyrtarisht lojtar i Atalantës. Klubi nga Bergamo firmosi kontratën deri në vitin 2019 me mbrojtësin e Kombëtares shqiptare.

Marrëveshja e lidh kuqeziun për tre vjet e gjysmë me zikaltërit e drejtuar nga Edy Reja, ndërsa është përfshirë edhe një opsion për rinovimin e kontratës edhe për një sezon.

Njoftimi u dha në faqen zyrtare të klubit, ku i jepet mirë se ardhja 22-vjeçari, ndërsa lojtari u shfaq duke shtrënguar duart me administratorin e klubit, Luca Percassi, pas hedhjes së firmës.

Gjimshiti kaloi me sukses testet mjekësore të zhvilluara pas mesditës së të hënës. Firma në kontratë ishte formalizimi i akordit me ish-lojtarin e Zyrihut, që ishte arritur disa ditë më parë.

Atalanta njoftoi se mbrojtësi do të mbajë numrin 55 në fanellë.  Djaloshi i lindur në Zvicër, në një familje shqiptare nga Bujanovci u largua me parametër zero nga Zyrihu, ndërsa vlera e tij në merkato përllogaritet në rreth një milion euro.

Te Atalanta talenti i Shqipërisë do të përfitojë rrogë 250 mijë euro në sezon, ndërsa në kontratë u përfshi edhe edhe një tjetër klauzolë, sipas të cilës paga e tij gjatë qëndrimit në Bergamo do të vijë në rritje.

Berat Gjimshiti bëhet lojtari i pestë i Kombëtares që do të luajë në këtë sezon të Serisë A italiane, pas Elseid Hysajt te Napoli, Etrit Berishës te Lazio, Rey Manajt te Interi dhe Arlind Ajetit, që gjatë Nëntorit të vitit 2015 iu bashkua Frosinones.