Hartuesit e ligjit për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar kishin parashikuar mundësinë që në mesin e të dyshuarve, rrjedhimisht të arrestuarve, të mundshëm të jenë edhe Presidenti, Kryeministri apo Kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Edhe pse vet ligji i miratuar në gushtin e vitit të kaluar, në përputhje me parimet e drejtësisë penale, sanksionon përgjegjësinë individuale të kryeseve potencial të veprave penale (duke mos bërë përjashtime), si duket hartuesit e tij nuk ishin mjaftuar me kaq, por e kanë normuar specifikisht përgjegjësinë e personave që mund të jenë udhëheqës të tri institucioneve kryesore të shtetit të Kosovës.

Në nenin 16.1 (b) thuhet decidivisht se “pozita zyrtare e të akuzuarit, qoftë si kryetar i shtetit, kryeministër apo zyrtar i qeverisë, nuk e liron këtë person nga përgjegjësia penale, as nuk ia zbut dënimin”. Vërehet se në ligj nuk thuhet se është fjala për pozitën zyrtare të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës së dyshuar, por duket qartazi se qëllimi hartuesve të ligjit është pikërisht pozita zyrtare në kohën e ngritjes së aktakuzave.

Duket se ekspertët e BE-së kanë qenë shumë vigjilent dhe nuk kanë dashur të lënë asnjë zbrazëti apo hapësirë, që do t’u mundësonte ndonjë trageti i tyre, të mbrohet apo t’i shmanget përgjegjësisë, duke u zgjedhur apo duke mbajtur ndonjërën nga pozitat më të larta shtetërore.

Ligji nr. 05/L -053 për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar ishte miratuar në gushtin e vitit të kaluar pas një debati të ashpër mes pozitës dhe opozitës, pas disa shtyrjeve dhe pas një dështimi për votim herën e parë.

Ndërkohë me 15.01.2016 Ministria e Jashtme e Holandës ka njoftuar se gjatë këtij viti, e nis punën Gjykata Speciale për Kosovën në Hagë të Holandës.

Njoftimin e ka bërë vet kjo ministri, e cila e ka pranuar kërkesën e BE-së që të jetë nikoqire e kësaj gjykate. Zyrtarisht emrin do ta ketë Institucioni Gjyqësor Special i Rilokuar i Kosovës.

Dega e saj do të vendoset në ish-ndërtesën e Europol-it në Hagë kurse një pjesë e re do të ndërtohet për t’u përshtatur në gjykatore.

Derisa të ndodhë kjo, Gjykata do të vendoset në një vend tjetër në Hagë.

Tashmë është hapur debati nëse Marrëveshja Holandë-Kosovë do të votohet në parlamentin e Kosovës, siç e parasheh kushtetuta, për rastet e marrëveshjeve ndërkombëtare apo do të interpretohet si zbatim i kushtetutës dhe ligjit tashmë të votuara si dhe letërkëmbimit të presidentes së Kosovës me BE në vitin 2014, të miratuar nga kuvendi me 2/3 e motive në atë vit, në lidhje me pranimin e themelimit të gjymtës speciale me dhomë të posaçme jashtë territorit të Kosovës.

Mbetet të shihet nëse neni specifik që paralajmëron mundësinë e arrestimit të Kryeministrit, Presidentit apo Kryeparlamentarit është hartuar vetëm sa për të qenë, apo do të vije situate që i njëjti të vihet në zbatim.

Aktualisht në pozitën e kryetarit të shtetit është Atifete Jahjaga, të kryeministrit Isa Mustafa ndërsa të kryetarit të kuvendit Kadri Veseli.

Mandati i presidentes mbaron në fillim të prillit të këtij viti, ndërsa sipas marrëveshje së koalicionit PDK-LDK në muajin tjetër pritet zgjedhja e kryetarit të PDK Hashim Thaçi në pozitën e kryetarit të Republikës.

Se a do të jenë ndonjëri nga miratuesit e këtij ligji (për gjykatën speciale), vet subjekt i kësaj gjykate mbetet të shihet.

Gazetari Milaim Zeka ka publikuar një listë, sipas tij, të të dyshuarve apo arrestuarve të mundshëm që do dalin para kësaj gjykate, në mesin e të cilëve përmend dy nga të lartcekurit.

I tërë ky proces ka nisë pas publikimit të raportit të senatorit Dick Marty i miratuar nga Këshilli i Evropës më 2011, mbi bazën e të cilit edhe u krijua Gjykata Speciale. Në këtë raport, përmenden edhe emra konkret, të cilët ishin në pozita të larta në UÇK dhe që aktualisht janë pjesë e elitës politike e institucionale në Republikën e Kosovës.