Që nga e hëna, Gjykata rajonale e Bernës është duke u marrë me procesin gjyqësor të njohur si „Të shtënat misterioze nga Zollikofeni“. Para trupit gjykues kanë dalë dy shtetas maqedonas të rinj, të cilët prokurorja Erika Marti i akuzon se mbrëmjen e hershme të 5 dhjetorit të vitit 2014, pas një zënke të krijuar, kishin shtënë me armë në Zollikofen. Rasti ka ndodhur për motive banale, lidhur me një femër.

Një person, i cili sipas aktakuzës ka qenë i afërt me të gjithë personat, ka dashur të ndërmjetësojë duke organizuar një takim me katër persona. Pas takimit të tyre, shumë shpejt kishte ndodhur një mosmarrëveshje e cila kishte eskaluar. Gjatë kësaj, disa nga personat kishin filluar me të shtëna duke u plagosur njëri me tjetrin.

Rasti u bë i njohur si „Të shtënat misterioze nga Zollikofeni“ pasi kur policia kishte arritur në vendin e ngjarjes, nuk kishte takuar asnjë pjesëmarrës të zënkës, ndërsa në vendngjarje kishte gjetur disa gjurmë të gjakut, shkruan „20 Minuten“, njofton „Shtegu.com“.

Dy të akuzuarit kryesor janë shtetas të Maqedonisë, ende të moshës nën tridhjetvjeçare dhe të njohur edhe më parë për organet e policisë. Sipas akuzës, njëri nga ta kishte udhëtuar shpeshëherë në Zvicër, përkundër ndalesës për të qëndruar në territorin zviceran.

Para Gjykatës në Bernë nuk është paraqitur personi i cili në dhjetor 2014, ishte plagosur dhe llogaritet si paditës privat. Gjykata e ka argumentuar mungesën e tij, pasi ai gjendet për momentin në një burg të Shkupit në Maqedoni, për disa delikte të tjera. Gjykata zvicerane kishte udhëtuar enkas në Shkup, për të dëgjuar argumentimet e shtetasit maqedonas.

Pasditen e së hënës, Gjykata do të dëgjojë edhe raportin e krimteknikut dhe dëshmitarëve të tjerë, ndërsa vendimi i saj pritet të shqiptohet pasditen e së enjtes.