Në seancën e radhës për rastin “Lagja e trimave” dëshmoi komandanti i stacionit policor të Pelincës dhe disa banorë të kësaj lagjeje. Komandanti Zoran Stanojkovski i cili ishte epror i policit të akuzuar Arsim Bajrami, i cili akuzohet për logjistikë të grupit të armatosur, sqaroi se përse Bajrami nuk është paraqitur në punë në ditën e aksionit. Bajrami ka kërkuar pushim mjekësor, por ka marrë urdhër të prerë nga eprorët që të paraqitet në stacionin në Kumanovë, ku menjëherë është arrestuar.
Stanojkovski e ka parë Bajramin në mbrëmje kur është marrë në pyetje. Përveç prokurorit dhe avokatëve, pyetje Stanojkovskit i parashtronte edhe i akuzuari Bajrami. Ai e pyeti nëse si epror i tij e ka ditur se është marrë në pyetje pa praninë e tij, se është bastisur makina e bashkëshortes së tij, dhe se familja e tij nuk është informuar se është i arrestuar. Stanojkovski u përgjigj se nuk ka qenë i informuar për këto gjëra.
Dy dëshmitarë, banorë të Lagjes së Trimave, treguan se gratë dhe fëmijët e tyre, si dhe banorët më të moshuar janë evakuuar më 8 maj, disa orë para aksionit të policisë. Familja e dëshmitarit Afrim Tairi ka ikur nga shtëpia pas mesnate, meqë bashkëshortja e tij ka dëgjuar se do të ketë aksion policor në këtë Lagje për drogë. Askush nga banorët lokal që kanë mbetur në Lagjen e Trimave nuk ka parë se kush ka shtënë dhe prej ku.
Ndryshe në sallë sërish nuk ishin të pranishëm familjarët e të akuzuarve. Ka pasur vend vetëm për 10 vetë, por ata kanë vendosur që asnjëri të mos hyjë në sallë.
Tre avokatët të cilët javën e kaluar u dënuan me nga 1200 euro gjobë për shkak se e braktisën gjykimin, pas animimit presin që të dënimet të tërhiqen. Seanca e radhës do të mbahet të enjten me dëshmitarë të ri.