“Sa të rrosh do të mësosh”, thotë një shprehje e vjetër. Më shumë se për të këdo, kjo thënie duket se vlen për italianen Anna Valanzano Carcaterra, e cila ka marrë një diplomë në moshën 88-vjeçare.

Me pikët maksimale, e moshuara, e cila gjithë jetën ka ushtruar profesionin e mësueses, ka tashmë një diplomë të nivelit të dytë në filologji.

Pas një jete të tërë si mësuese dhe nënë, pesë vjet më parë, Anna ka vendosur të realizojë dëshirën e saj për t’u diplomuar. Ajo është regjistruar në universitet, ku pasi ka përfunduar studimet në nivelin e parë (3 vjet), i është futur masterit të nivelit të dytë.

“Nuk isha e emocionuar derisa sa pashë telekamerat që u drejtuan nga unë. Atëherë i thashë vetes: Qenka diçka e rëndësishme kjo”, shprehet ajo.

“Më kanë ngatërruar shpesh me profesorët. Kur unë hyja në sallë, mendonin se do të nisja leksionin. Por më pas u njoha me shumë të rinj, disa prej të cilëve u bënë miqtë e mi”, citohet ajo nga “ANSA”.

Ajo e ka festuar diplomimin në universitetin “Ateneo Federico II”, mes miqve dhe shumë nipave e mbesave.