Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – dega e Beneluksit, Edvik Abdullau, nuk kursen fjalët përkrahëse për kryetarin e partisë së tij dhe kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj. Në intervistën ekskluzive për Lajm.Tv, të zhvilluar në Bruksel, qytetin ku jeton dhe menaxhon biznes, ai ka komentuar presionin që po i bëhet qeverisë kosovare për heqjen e taksave ndaj produkteve serbe. Abdullau thotë se vendimi për taksat duhet të ndryshojë, por duke ia shtuar një zero mbrapa, me qëllim që taksat të rriten nga 100 në një mijë për qind. Me prejardhje është nga Tërnoci i Bujanocit dhe shpreh keqardhje që vendimi për taksën dëmton paksa edhe bashkëvendasit e tij nga Lugina e Preshevës. Megjithatë vlerëson se është sakrificë që ja vlen të bëhet, për t’i dhënë mësim Serbisë.

“Unë jam për taksën 1.000 për qind. Е them haptazi, i kam shkruar edhe kryeministrit se serbosllavët, ose rusët nuk e kuptojnë gjuhën e lehtë. Më vjen keq për bashkëkombasit e mi nga Tërnoci i Madh, Presheva, Medvegja, por çdo herë dikush duhet të sakrifikojë”, thekson Abdullai.

Nuk është vetëm politika dhe AAK që bashkon Abdullaun me Ramush Haradinajn. Janë sportet luftarake një pikë tjetër e përbashkët mes tyre. Abdullai është ish kampion i shumëfisht botëror në Kik-Boks, kurse për momentin kryetar i federatës belge të kik-boksit. Edhe pse ka garuar për Belgjikën, ai çdo herë në ring ka dalë me flamurin kuq e zi dhe me himnin shqiptar.

“Është e vërtetë. Unë e kam zyrtarizuar edhe federatën shqiptare, edhe atë dardane. Gjithmonë kam luftuar me flamurin shqiptar dhe hymnin kombëtar, kuptohet duke respektuar edhe flamurin belg, shtetin për të cilin kam garuar. Gjaku gjithmonë mbetet shqiptar”, shton ai.
Si kampion, Edviku ka qenë jo vetëm në qendër të vëmendjes së mediumeve shqiptare, por edhe atyre belge. Poashtu kanë shkruar edhe mediumet serbe, duke botuar tekste me tituj ”Tërnoci ka kampion botëror në kik-boks, Beogradi nuk ka”. Paralelisht me karrierën e vet, çdo herë ka promovuar edhe përkatësinë kombëtare. Sot udhëheq një shkollë për stërvitje, por ka dy parime: nuk pranon të stërvitë sllavët dhe nuk pranon të stërvitë ekstremistë politikë dhe fetarë.

“Tani jam aktiv si trajner. Kam klubin te selia e NATOs, përballë saj. Vetëm serbët dhe sllavët nuk kanë të drejtë të vijnë në klubin tim, dhe ekstremistët fetarë që po i shohim në rrugë dhe ekstremistët politikë. Jam krenar shumë. Momentalisht jam edhe kryetar i i federatës belge të kik boksit WKF”.

Çka e motivoi një ish kampion botëror të kyçet në politikë? Ai disa vite ka qenë shef i sigurimit të ish kryetarit të Komisionit Evropian, Romano Prodi. Kjo i ka mundësuar të përcjellë prej së afërmi zhvillimet politike të nivelit më të lartë në Evropë. Kurse në AAK është kyçur për shkak të respektit ndaj kryetarit të saj Ramush Haradinaj, për të cilin thotë se është politikani i vetëm i guximshëm në Kosovë, kurse presidentin Hashim Thaçi e quan tradhtar ordiner.

“Politika për mua është një obligim sepse gjithçka po vendos politika. Vetë fjala politikë është vendimmarrje. Unë një kohë të gjatë kam punuar në Këshillin e Evropës, kam takuar njerëz të mëdhenj si Xhorxh Bush, Zhak Shirka, Gerhard Shreder. Kam qenë shef i sigurimit të Romano Prodit dhe prej së afërmi e kam parë se si zhvillohet politika reale. Politika zhvillohet në KE, as në Prishtinë, as në Beograd, as në Moskë.
Ramush Haradinaj është i vetmi person për të cilin kam respekt me zemër. Ai është person që ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë. Ka edhe Limaj merita, mirëpo sa i përket Thaçit e tjerëve, sipas meje ata janë vetëm kot. Ata janë tradhtarë ordinerë. Isa Mustafa gjithashtu”, thekson ish kampioni Abdullai, aktualisht kryetar i AAK-së në vendet e Beneluksit.

Nofka e Edvikut në ring ka qenë “Luani Fluturues”. Synimi i tij është që me të njëjtin sukses si në ring, të “fluturojë” edhe në skenën politike për të ndihmuar proceset politike shqiptare.
Edviku është krenaria e shqiptarëve të Brukselit dhe Belgjikës dhe gjithmonë ka pasur përkrahjen e bashkëkombasve të vetë, në momentet vendimtare kur ka garuar në ring. Është i sigurt se këtë përkrahje do ta ketë edhe tani që është kyçur në politikë.