Me rikthimin e kompetencave në fushën e arsimit për kreun e komunës së Gostivarit, janë rikthyer edhe përplasjet politike. Dega e BDI-së në Gostivar akuzon se Taravari ka shkarkuar drejtorët aktual të shkollave duke i zëvendësuar ata me kuadër partiak. Nga kjo parti kanë paralajmëruar ngritjen e procedurave penale ndaj Taravarit për shkelje të ligjit.

Me kthimin e kompetencave, Taravari vazhdoi me avazin e vjetër, duke bërë gabime të njëjta dhe duke shkelur Ligjin sërish. Pasi iu kthyen kompetencat, pa konsultime paraprake me këshillat drejtues të shkollave, ai i shkarkon drejtorët e përzgjedhur konform Ligjit.  Ia bëjmë me dije që, për këto shkelje të qëllimshme të Ligjit do të ngremë procedura adekuate dhe do kërkojmë përgjegjësi për shkeljen e Ligjit- deklaroi Bashkim Hasani- BDI, dega Gostivar.

Ekipi i televizionit Alsat tentoi që të merr përgjigje edhe nga komuna e Gostivarit, me ç`rast, nga kabineti i Taravarit, na u përgjigjen se, Nuk do komentojnë më deklaratat e degës së BDI-së këtu në komunën e Gostivarit ndërkohë, nëse ka ndonjë shkelje, këtë thonë që do e vërtetojë Ligji.

Të kontaktuar nga ALSAT nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit nuk deshën të komentojnë para kamerave, por përmes telefonit thanë se ndërsa procedura është në vijim e sipër do të përmbahen nga deklaratat.

Procedura e inspektimit është në vijim e sipër dhe përderisa procedura të përfundojë, nuk do të komentojmë dyshimet e ngritura”.  u përgjigjën nga Inspektorati shtetëror i Arsimit.

Për shkak të shkarkimit të drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme, kreut të komunës së Gostivarit, në 21 shkurt të vitit të kaluar Ministria e Arsimit ia mori kompetencat, në sferën e shkarkimit dhe emërimit të drejtorëve të shkollave. Pas 9 muajsh, në nëntor të vitit të kaluar Arben Taravarit sërish iu kthyen kompetencat në arsim.