Mirë Ahmet  Zogu që i dhuroi Vermoshin e Shën Naumin Serbisë dhe si shenjë mirënjohje Serbia e solli në pushtet, në Tiranë, po Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, mos vallë edhe këta Serbia i ka sjellë në pushtet, që i bëjnë Serbisë të njëjtën dhuratë, madje shumë më të majme  se  dikur Ahmet Zogu!

Shohim së fundi se  edhe një lider i opozitës kosovare u deklarua se nuk kanë bërë mirë që kanë përdorur bombulat me spraj lotsjellës në sallën e Parlamentit.  Kështu janë shprehur e shprehen pothuaj edhe shumica e politikanëve, gazetarëve e analistët në Kosovë dhe vijojnë të shprehen së bashku me ambasadorët e huaj. Mirëpo, edhe pse janë bërë shumë shkrime për këtë problem, përfshi dhe unë, nuk i është nxjerrë koka e së vërtetës se pse opoziata, e veçanërisht Albin Kurti, e ka nis këtë lloj lufte në atë sallë.

Para se të jap arsyet e mia që justifikojnë atë veprim të opozitës në sallën e Parlamentit, po citoj atë çka pat thënë Fan Noli ynë në  Parlamentin e Shqipërisë , në 24 gusht 1923: “Makiaveli i ndau qeveritë në tri kategori: qeveritarë që kanë mend vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me zgjuarsinë e tyre, këta janë më të mirët; qeveritarë që s’kanë mend vetë po përfitojnë nga zgjuarsia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit; qeveritarë, të cilët s’janë të zotë as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë”.

Dhe është interesante edhe fakti që edhe kabineti qeveritar në Kosovë, i kryesuar nga Isa Mustafa, për fatin e keq, hyn në këtë kategori të tretë. Pse? Sepse jo vetëm që nuk kanë këshilltarë përsëmbari, jo vetëm që nuk e dinë Kushtetutën por edhe nëse e dinë kujtojnë se qëndrojnë mbi Kushtetutën dhe, së treti, nuk duan të dëgjojnë as opozitën, përfaqësuesen e gjysmës së popullit, e cila është këshilltarja më e madhe për çdo qeveri.

Opozita aktuale në Kosovë, e përbërë prej AAK, NISMA dhe Vetëvendosja u lodh duke folur sa herë në Parlament që qeveria të ishte transparente për bisedimet që bënte në Bruksel me Serbinë. Opozita e bënte këtë këmbëngulje me qëllimin e mirë që ta parandalonte ndonjë marrëveshje e cila të ishte e dëmshme për Kosovën, pasi e shihte që qeveria kosovare e ndjente veten inferiore ndaj përfaqësuesve serbë në ato bisedime. Këto i kanë thënë edhe shumë gazeta e agjensi kosovare e të huaja. Mirëpo, qeveria as që e vuri ujët në zjarr dhe bënte si i donte qejfi, duke u sjellë sikur Kosova të jetë pronë e tyre.

Kur Qeveria vendosi të vinte e të sqaronte Parlamentin për ato dy marrëveshje antikombëtare (Zajednicën dhe faljen e tokave Malit të Zi), ajo kërkoi ta vendoste Parlamentin dhe opozitën para faktit të kryer, kështu që Parlamenti vetëm sa të ngrinte kartonin dhe të mbyllej në heshtje  tradhëtia. Dhe këtë e kishin të sigurtë sepse provën e dhanë deputetët e PDK e të LDK se janë thjesht marioneta të Hashimit e të Isës kur u miratua Gjykata Speciale. Mirëpo, opozita e kuptoi këtë hile të Qeverisë dhe mori masa që Kryeministri të mos mundëte t’ia shtronte Parlamentit për miratim këto dy marrëveshje kobzeza.

Dhe çfarë bëri opozita? Duke e ditur se marionetat deputetë do ta miratonin, ajo i mbushi xhepat me vezë dhe e largoi ga foltoria Kryeministrin, ndërkohë i dërgoi edhe një vezë zevendësit të tij që rrinte i qetë në kolltuk, me bindjen se poi a hedhin opozitës. Mirëpo Qeveria dhe kryesia e Parlamentit nuk hoqën dorë nga kjo taktikë dhe e përsëritën skenarin. Atëherë opozita përdori dhe po përdor gazin lotsjellës me qëllim që të mos zhvillohet ajo senacë pa u anulluar nga Qeveria ato dy marrëveshje.

Por do të shprehet dikush”: E ç’rëndësi ka nëse i miraton Parlamenti, derisa i ka miratuar Qeveria?

Këtu flen lepuri. Nëse ato dy marrëvesghje antikombëtare i miraton Parlamenti i Kosovës, ato marrëveshje mbeten jet e mot në fuqi dhe nuk mundet t’i anulloi çdo parlament i ardhshëm i Kosovës. Dhe për këtë kemi përvojën e hidhur të dy marrëveshjeve të Qeverisë së Ahmet Zogut me Qeverinë e Pshiçit të Ish-Jugosllavisë, në gushtin e vitit 1928, ku qeveria shqiptare pasi nënshkroi dy marrëveshjet me qeverinë jugosllave për dhurimin kësaj të fundit të Shën Naumit dhe disa fshatra të Vermoshit, si shenjë mirënjohjeje që e risollën në pushtet Zogun, e miratuan edhe në Parlament. Dhe sot e gjithë jetën, sa të jenë këta kufij në Ballkan, Shqipëria kurrë nuk ka për t’i marrë ato dhurata të Zogut. Nëse edhe qeveria e Kosovës i miraton në parlamentin e saj këto dy mmarrëveshje Kosova nuk mund t’i ndryshoi ato jet e mot. Kësaj i parapriu përdorimi i sprajit nga opozita. Prandaj unë si shqiptar i thjeshtë i jap të drejtë dhe e miratoj edhe përdorimin e  sprajit lotsjellës nga VV, pasi vetëm ai spraj e ka bërë të mundur moszhvillimin e senacës kobëzezë të Parlamentit të Kosovës. Një thënie vulgare popullore thotë:”Kështu i dashka mushka drutë”.

Mirë Zogu i dhuroi ato territore si shenjë mirënjohje për faktin se Serbia e solli në pushtet, po Isa Mustafën dhe Hashim Thaçin, mos vallë edhe këta Serbia i ka sjellë në pushtet, që i bëjnë Serbisë të njëjtën dhuratë si dikur Ahmet Zogu? (d. goxhaj)