Lideri i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i cili e ka shpallur veten president të përkohshëm, u kthye në Venezuelë përkundër rrezikut për arrestimin e tij.

Në aeroportin e Venezuelës, ai u prit nga diplomatët amerikanë dhe evropianë si dhe një grup përkrahësish të cilët thërrisnin emrin e tij.

Përkundër një ndalese udhëtimi të vendosur nga Gjykata muajin e kaluar, Guaido vizitoi vendet e Amerikës Latine. Ai po angazhohet të fitojë mbështetjen e vendeve fqinje për ta larguar nga pushteti presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro si dhe për të krijuar një qeveri tranzicioni që do t’i paraprijë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Guaido i ka bërë thirrje Maduros të japë dorëheqjen dhe u kërkoi venezuelianëve të bashkohen në protestat anti-qeveritare.

Guaido është njohur si presidenti i përkohshëm nga më shumë se 50 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Shqipërinë dhe Kosovën. Ndërkaq presidenti i kontestuar, Nicolas Maduro, gëzon mbështetjen e Rusisë, Kinës dhe Kubës.

Maduro është përballur me akuza edhe për abuzime me të drejta të njeriut si dhe për keq menaxhim të ekonomisë së Venezuelës.