Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështje Politike, David Hale gjatë kësaj jave do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë, për të inkurajuar të dyja palët për rikthimin e dialogut në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se Hale do të vizitojë Serbinë më 8 mars, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të këtij shtetit “për të biseduar për marrëdhëniet dypalëshe dhe për të avokuar për rikthimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”.

Aty po ashtu thuhet se zyrtari i lartë i SHBA-së do të udhëheq një diskutim me shoqërinë civile për çështjet që ngjallin shqetësim rajonal dhe botëror, duke përfshirë edhe ndikimin rus dhe kinez në Ballkanin Perendimor.

“Më 9 mars, në Prishtinë, nënsekretari Hale do të takohet me zyrtarë të lartë të shtetit për të theksuar mundësinë historike për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe për të kërkuar masa që të arrihet një gjë e tillë”, thuhet në njoftimin për media të DASH-it.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë thirrje Kosovës që të pezullojë tarifën doganore ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovincës, që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Autoritetet në Beograd kanë thënë se dialogu në Bruksel nuk do të vazhdojë, derisa të mos hiqet tarifa.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po insiston se tarifa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.