Marrëveshja e Prespës është shembull për pajtim dhe mundësi për përforcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, shkruan eurokomisari për zgjerim, Johanes Han në përgjigjen me shkrim të pyetjes së deputetëve të dërguar nga eurodeputeti i SYRIZA-s. Dimitris Papadimulis.

Vjeshtën e kaluar, zëvendëskryetari i Parlamentit Evropian, dërgoi pyetje deri tek Komisioni Evropian për përforcimin e investimeve në dy vendet, atëherë, në prag të ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës. Përgjigja e Hanit është me datë 8 shkurt të vitit 2019. Dy shkrimet, me pyetjet dhe përgjigjen, sot i publikoi vetë Papadimulis.

“Marrëveshja e Prespës për emrin është shembull për pajtim dhe mundësi për përforcimin e marrëdhënieve dhe paralelisht edhe më shumë e promovon bashkëpunimin politik dhe ekonomik”, shkruan Han në fillim të përgjigjes së tij që është në emër të Komisionit Evropian.

Në vazhdim, ai i sqaron programet tani më ekzistuese për mbështetje financiare, siç është IPA dhe Interreg, por edhe programet e reja për të cilat zhvillohen negociata.

“Zhvillohen bisedime për mundësinë që ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë të përfshihet në ‘strategjinë e BE-së për rajonin e Detit Adriatik’ (EUSAIR), fakt që do t’i mundësojë përforcim bashkëpunimit të saj me vendet fqinje lidhur me prioritetet tematike të EUSAIR. Komisioni filloi me studimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në rajonin më të gjerë të Prespës, me theks të veçantë në turizëm. Vendet u obliguan së bashku të zhvillojnë plan strategjik për zbatim me qëllim të realizimit të vendkalimit kufitar në Liqenin e Prespës, i cili do të bashkëfinancohet nga programi për bashkëpunim ndërkufitar IPA dhe nga programi rajonal grek”, sqaron eurokomisari për zgjerim.

Dimitris Papdimulis në letrën e tij deri tek KE-ja e përmend deklaratën e zëvendëskryetarit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nga 10 shtatori i vitit 2018, në të cilin thotë se pas finalizimit të Marrëveshjes së Prespës do të rriten investimet në të dyja vendet. Në vazhdim, mes tjerash, pyet si Marrëveshja e Prespës do të ndikojë në zhvillimin dhe investimet, përmes të cilave mjete dhe mekanizma, Komisioni mund të kontribuojë për investime në rajon.

Loading...