Presionet mbi Kosovën sa vjen e shtohen nga komuniteti ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila të përfshijë lëshime nga të dyja palët.

Por jo te gjithë mendojnë se kjo trysni mund të prodhojë një rezultat të kënaqshëm. Robert Hand, këshilltar politik i Komisionit të Helsinkit thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ngusin Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje brenda vitit, sepse ato kanë çështje të vështira për të zgjidhur.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hand tha se ai vetë nuk është dakord me idenë e ndryshimit të kufijve por shtoi se ajo nuk është hequr nga tryeza. Njohësi i hershëm i çështjeve të Ballkanit e konsideron një gabim taktik tarifën 100% mbi mallrat serbe, megjithatë edhe nxitimin e sheh me skepticizëm.

Gjatë dekadave me radhë që kam punuar për Ballkanin, kam parë diplomatë e politikanë të cilët e kanë fokusin shumëafatshkurtër; përsa kohë janë përgjegjës ata duan të marrin meritat duke u përpjekur të sigurojnë marrëveshje me shumë shpejtësi, çka bëhet me mjaft nxitim.

Dhe pastaj, pas ndonjë viti, fillon të shohësh pasojat e këtij nxitimi në terren sepse gjërat janë bërë në mënyrë shumë të rrëmbyer, ka qene komenti I tij. Hand mendon për çdo rast se ne këndvështrimin afatgjatë, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë mike dhe aleate të Kosovës.