Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e kompanisë amerikane Artillery One.

Në këtë takim, së bashku me delegacionin amerikan të përfaqësuar nga Daniel Cannon, Ryan Zinke dhe Steven Lindgren, u diskutua për mundësitë e shumta për investime në fushën e energjisë, teknologjisë dhe të telekomunikacionit në vendin tonë, transmeton Telegrafi.

Me këtë rast, Kryeministri Haradinaj, i njoftoi përfaqësuesit e Artillery One për hapësirën që ofron Kosova për investime të huaja.

“Me rritjen ekonomike më të madhe në rajon, zvogëlimin e tarifave tatimore, reformat thelbësore në sundim të ligjit dhe ato fiskale, si dhe me ligjin për investime strategjike, Kosova ka hyrë në hartën e vendeve atraktive dhe të sigurta për investitorët e huaj”, tha Haradinaj, duke shtuar se Kosova tashmë është kthyer në një adresë të besueshme për investime amerikane.

Nga ana e tyre, delegacioni amerikan, shprehu falënderim ndaj kryeministrit Haradinaj për pritjen e sotme, dhe u dakorduan që të bashkëpunojnë në të ardhmen në fusha me rëndësi.