Në një intervistë për Tv Art nga Tetova, ishfutbollisti dhe menaxheri i njohur i futbollit, Harun Isa flet për aktualitetet në futbollin e Maqedonisë, ofertat për të punuar te KF Shkëndija, hapësirën që duhet tu jepet talenteve të rinj e të tjerë.

Harun, emri juaj ishte lakuar si njëri prej atyre që jeni për ndryshime në Federatën e futbollit të Maqedonisë (FFM). Cila është e vërteta?
Isa:
Po, para ca ditësh është përmendur emri im, ku mbeta i befasuar nga ajo që lexova, sepse mua askush nuk më ka kontaktuar dhe pa kurrfarë informate në gazeta doli emri im se kam nënshkruar ndonjë dokument, se jam kundër federatës e tjerë. Prandaj jam pak i revoltuar dhe menjëherë e demantova një lajm të tillë, ngase nuk ka asgjë të vërtetë.

Harun, ju një kohë të gjatë jeni në futboll. Keni luajtur për ekipe shumë të njohura në vend dhe jashtë vendit. Si ju duket futbolli në Maqedoni?
Isa:
Këtu në Maqedoni futbolli asnjëherë nuk ka qenë në nivelin e duhur, sepse sportistët e vërtetë nuk kanë qenë të përfshirë në futboll. Për këtë shkak unë mendoj se futbolli në Maqedoni është shumë dobët dhe organizimi është shumë në nivel të ulët.

Tetova ka dy klube në ligën e parë që janë ndër klubet më të mira. Cili është vlerësimi yt?
Isa:
Edhe Renova edhe Shkëndija janë klube të mëdha, posaçërisht Shkëndija. Mirëpo, kohën e fundit nuk i kam shikuar ndeshjet, sepse jam i dëshpëruar prej Shkëndijës, jo prej rezultateve, se edhe Vardari është shumë i fortë, por prej ideve që të blihen vetëm lojtarë nga jashtë. Mendoj se lojtarë blihen nga jashtë kur lojtarët tanë të rinj nuk kemi. Për mua kjo është diçka që s’është në rregull.

A keni pasur ndonjë ofertë nga klubet tetovare?
Isa:
Po, kam pasur ofertë, por pak si vonë nga Shkëndija, pasi largua drejtori sportiv nga Zvicra. Sikur Ecolog-u të ishte interesuar që në fillim kur e mori Shkëndijën ndoshta do të kisha pranuar të punoj. Më pas edhe dy herë jam ftuar, por isha pesimist se nuk mund të përputhem me këta njerëz që punojnë te Shkëndija, sepse dëshira ime është të punoj me të rinjtë shqiptarë që janë në Tetovë dhe jo të blejmë lojtarë nevojë pa nevojë. Mendoj blerjet e gatshme janë investime të kota.

Ku qëndron problemi?
Isa:
Problemi qëndron tek të mëdhenjtë. Kam edhe një vërejtje për futbolldashësit në Tetovë, pasi ata duan rezultate të menjëhershme, ndërsa kjo nuk mund të arrihet menjëherë. Duhet të veprohet me hapa të ngadalshëm. Të formohet ekipi dhe mandej pas dy vitesh Shkëndija të luftoj për titull kampioni. Nuk jam për investime milionëshe. Në formacionin e parë të Shkëndijës duhet të ketë katër lojtarë të rinj shqiptarë dhe jo të luajnë një ose dy prej tyre vetëm nga 10 minuta.

A mendoni se ish futbollistët që kanë dal nga Shkëndija dhe klubet tjera shqiptare duhet të kyçen në sport?
Isa
:Unë jam prej 2007/2008 në Tetovë. Ibrahim Osmani, Skender Jonuzi, Qatip Osmanin të gjithë këta janë shokët e mi, dhe ndonëse disa nuk kanë mendime të mira, kujtoj se e njohin futbollin dhe kanë përvojë më të madhe se ata që s’janë marrë me futboll. Për këtë shkak them se duhet të inkuadrohen ishfutbollistët, por ku është problemi nuk e di. Psh lexoj nëpër media Shkëndija blen lojtar 150.000 euro! Dhe, këtë se kuptoj perse të rinjtë nuk aktivizohen. Unë me 16 vjet e gjysmë kam luajtur ndeshjen e parë dhe për trajner kam pasur Spirko Marinkovskin. Pse shqiptarët tani të mos luajnë me 17 vjeç, dhe kur bëhet 18, 19 vjeç ai do të fitoj përvojë te Shkëndija, kurse me 20 vjeç edhe mund të shitet. Pra, të fitohet nga lojtari.

A do kishit veçuar ndonjë futbollist të ri, i cili ka perspektivë të madhe?
Isa:
Si të veçoj kur unë nuk kam parë asnjë lojtarë që luan në njëmbëdhjetëshin e parë të Shkëndijës. Sipas mediave është lojtari Totre për shembull, talent i madh. Për mua 19 vjeçari nuk mund të jetë më qind për qind talent, sepse s’di nëse i ka zhvilluar 3 ndeshje prej fillimit të lojës. Nëse Totre është talent i madh, nëse është lojtar i mirë, ai me 19 vjeç duhet të jetë ndër lojtarët kryesorë te Shkëndija. Ndoshta tash po ndërhyj në politikën e brendshme të klubit, edhe pse pyetja ime nuk ishte aty, por mendoj se menaxherët që punojnë aty le të mendojnë për lojtarët e rinj shqiptarë dhe të mos e humbin vullnetin e tyre ata që janë edhe moshave më të reja. Sepse lindin edhe pyetje të prindërve të cilët do të pyesin se çfarë do të bëhet me djalin tim kur do të bëhet 17 vjeç, nëse duhet të luajnë te Drita, Gostivar ose Zajaz (pa nënçmime). Nuk kam kundër asnjë lojtari, por si ka mundësi që Radeski të blihet 150.000 euro dhe mos luaj në ekipin e parë, është rezervë. Me 150.000 euro do të financoja lojtar të rinj që janë 14-15 vjeç./lajm

Loading...