Janë bërë rreth katër muaj që partitë opozitare janë duke i bojkotuar të gjitha zhvillimet brenda Kuvendit të Kosovës në kërkim të tërheqjes së marrëveshjes që Qeveria e Kosovës i ka arritur me Serbinë për Asociacionin e Komunave serbe dhe të asaj për demarkacionin me Malin e Zi, por edhe vet dorëheqjen e Qeverisë Mustafa.

Vetëm tash, partitë e pozitës po e shohin se ky bojkot është duke penguar procese të shumta. Për këtë arsye, këta të fundit u kanë bërë thirrje deputetëve të opozitës që marrin pjesë në mbledhje të Komisioneve parlamentare, në mënyrë që të vazhdojnë me punën që i pret ata.

Por, deputetja nga radhës e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se vendimin për bojkot të komisioneve parlamentare e kanë marrë si opozitë e bashkuar shtatorin e vitit të kaluar, dhe nuk e kanë ndërmend të ndryshojnë këtë vendim.

“Natyrisht që situata do të vazhdojë njësoj për shkak se nuk kanë ndryshuar rrethanat në vend, pra ende kemi në fuqi marrëveshjet e dëmshme për Republikën dhe territorin dhe ende e kemi në krye të qeverisë një kryeministër i cili i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Haxhiu, raporton “Koha Ditore”.

Haxhiu thotë se arsyeja pse po i bojkotojnë komisionet parlamentare është për shkak të situatës në vend.

“Pas 25 gushtit, situata në Kosovë nuk është normale dhe natyrisht që ka qenë një vendim politik i opozitës së bashkuar që të bojkotojë komisionet parlamentare. Në jemi të vetëdijshëm se si ka shkuar puna në komisionet parlamentare, është njësoj si në ato mbledhjet ilegale në skutat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në njërën prej skutave të Kuvendit pasi që kanë kaluar me shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe pa ndonjë debat të mirëfilltë për ligjet që janë tepër të rëndësishme për Republikën e Kosovës”, theksoi Haxhiu.

Sipas saj, është e padrejtë se si Komisionet parlamentare po vazhdojnë që të shtirën që kinse situata në Kosovës është normale, madje thotë se është e dhimbshme se si Komisioni për legjislacion që e ka për detyrë që të sigurohet se nuk po shkelët Kushtetuta e Republikës së Kosovës, mban mbledhje siç mbajti sot duke mos u brengosur që ajo është shkelur.

“Është prioritet i Komisionit për legjislacion që kudo që ka shkelje të Kushtetutës të reflektojë dhe të kërkojë që të marrin përgjegjësi ata që kanë shkelur Kushtetutën”, tha deputetja Haxhiu.

Ligjvënësja opozitare, Albulena Haxhiu, tha se një gjë që dihet sigurt është se opozita do të vazhdojë t’i bllokojë seancat plenare, “do të vazhdojmë njësoj t’i pengojmë ato me mënyrat e njëjta ose me kombinim të mënyrave të tjera”.

“Nuk kemi diskutuar se çfarë do të vazhdojmë të bëjmë me komisionet parlamentare. Gjatë këtyre ditëve opozita do të marr vendim edhe në lidhje me këtë dhe çfarëdo veprimi që marrim do ta bëjmë publik”, u shpreh ajo.

Haxhiu bëri thirrje edhe njëherë që të mos ftohen seanca të Kuvendit më, dhe shtoi se mos-thirrja e seancës as gjatë kësaj jave nuk është e rastësishme “për shkak se si duket ka një fije shprese që këta njerëz të reflektojnë dhe t’i marrin parasysh kërkesat e opozitës”, të cilat i ripërsëriti.

Në fund, ajo foli edhe për protestën e ardhshme të partive opozitare, duke theksuar se “data e protestës do të bëhet publike shumë shpejt”.

“Jemi duke u përgatitur për një protestë të madhe si të 9 janarit. Kurdo që kjo do të caktohet, liderët e subjekteve politike do ta bëjnë publike”, potencoi deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Loading...