Rreth 82 mijë është numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit në Shqipëri ose 7 për qind e numrit total të të punësuarve në vend dhe është i dominuar nga burrat: vetëm 3 për qind janë gra.

Angazhimi i burrave në sektorin e ndërtimit është i shumëllojshëm, ndërkohë që punësimi i grave është i kufizuar dhe mbulon një spektër të ngushtë. Gratë në këtë sektor punojnë ose në punë me kualifikim të lartë si, inxhiniere dhe kontabiliste ose në profesione elementare si punëtore ndërtimi. Hendeku gjinor i pagës për punonjësit në sektorin e ndërtimit (përfshin vetëm punësimin formal) është 14 për qind, në favor të burrave.

Kompanitë private tregojnë shumë pak interes për politikat për mundësi të barabarta dhe vetëm gratë me arsim terciar e konsiderojnë sektorin privat të ndërtimit si mundësi tërheqëse punësimi. Mungesa e kushteve të sigurta të punës në aspektin e rrezikut fizik, higjienës dhe ngacmimit (seksual) janë shkurajim ndaj angazhimit të grave në sektorin e ndërtimit.

Të dhënat e siguruara nga studimet e kryera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Banka Botërore u bënë publike pak ditë më parë gjatë një seminari ku u diskutua vlerësimi gjinor me partnerët e zhvillimit, bizneset private në sektorin e ndërtimit dhe bashkitë.

Në këtë studim, ashtu siç edhe pritej, shifrat janë në disfavor të grave, por e vërteta tjetër është se projektet e reja në infrastrukturë po e rrisin kërkesën për punë dhe për aftësi duke krijuar kështu mundësi të reja punësimi në sektorin e ndërtimit.

A është ky momenti të flasim për rritjen e numrit të grave në këtë sektor? Natyrisht që po, gjithmonë do të jetë koha e përshtatshme! Por sa është e realizueshme kjo? Kjo është një sfidë e hedhur në tavolinë tashmë…

“Personalisht nuk i ndaj punët në punë burrash e punë grash. i ndaj në punë që bëhen me pasion ose jo”, thotë Marjeta Çili, inxhiniere prej 35 vjetësh, në CV-në e së cilës numërohen shumë objekte që mbajnë firmën e saj që nga kompleksi i pishinave, Klubi Sportiv Dinamo etj.

“Sigurisht di të them që të jesh inxhiniere është profesion i lodhshëm, që të merr shumë kohë, ka përgjegjësi të madhe, por kështu duhet të jetë edhe puna e një kirurgeje, kuzhiniereje, sportisteje apo jo?!”. Marjeta e kujton me nostalgji ditën e parë të punës, mënyrën sesi ajo dhe kolegë të saj, moshatarë në atë kohë, u prezantuan dhe u pritën në të parën punë në karrierën e tyre. “Përgjegjësi im i parë Ing. Kujtimi, më caktoi të projektoja objektin e parë si bashkëautore, me konstruktore Dhuratën”, kujton Marjeta duke shtuar se ka pasur fatin të punojë me kolegë profesionistë nga më të mirët.

“Të jem e sinqertë dita e parë e punës për mua ishte e mrekullueshme pasi do të punoja në një firmë mes miqsh, të sapokrijuar nga ne, ku të gjithë ishim të etur për të projektuar e ndërtuar objekte të bukura e funksionale. Bëhet fjalë për vitin 1991 si vit i parë i fillimit të ndërtimeve private në Shqipëri”, thotë Loreta Hoxha, një tjetër inxhiniere që numëron 27 vite punë, firmën e së cilës e shohim në shumë ndërtesa e vepra të mëdha. Loreta veçon eksperiencat e disa viteve më vonë, në shoqëri të tjera ndërtimore, “ku mendoj se vlen për tu përmendur mënyra se si të prezantojnë, sesi të mirëpresin në sektorin e zbatimit, ato sytë kureshtarë dhe moria e fjalëve thumbuese nga nivele të ndryshme kolegësh e punonjësish”, shton ajo.

A është ndërtimi punë për burra? “Nuk është aspak e vërtetë, thotë Loreta Hoxha. Eksperienca ka treguar se ndërtimi është punë për femra, në projektim patjetër ka pa fund femra projektuese me dizajn të mrekullueshëm. Në zbatimin e punimeve gjithashtu ka femra të përkushtuara, të forta e këmbëngulëse, ndoshta më komunikuese dhe të drejtpërdrejta se meshkujt, organizative dhe administruese të proceseve të ndryshme të ndërtimit”.

Ndërsa Vilma Prifti, që gjithashtu punon prej vitesh në këtë sektor dhe numëron si punë të sajat projektimin dhe supervizimin e tre fshatrave të rinj në Kamëz, të përmbytur nga ndërtimi i rezervuarit të Bovillës, ndërtimin e ujësjellësit të Kombinatit në Tiranë apo menaxhimin e kontratave të autostradës Rrogozhinë-Lushnjë, Tepelenë-Gjirokastër etj., shton se nuk mban mend ta ketë ndjerë ndonjëherë trysninë e të qenit femër në sektorin e ndërtimit. “Përkundrazi kam qenë e mirëvlerësuar”, thotë duke shtuar se çdo grua duhet ta marrë në konsideratë karrierën në këtë sektor. Është sfidë por, si çdo profesion tjetër, është edhe përkushtim e pasion. Për këtë të fundit bien dakord të tria inxhinieret, aktualisht të angazhuara në Njësinë Teknike të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, pa përmendur modestinë me të cilën mbulojnë arritjen dhe përkushtimin e gjatë në punë.

Ndërkaq në Shqipëri, aktualisht janë duke u zbatuar disa projekte në sektorin e infrastrukturës. Ky është një lajm i mirë për ekonominë e vendit dhe ofron mundësinë për të rritur pjesëmarrjen e grave në një sektor kryesisht të dominuar nga burrat. Nëse Shqipëria do të trajtonte balancën gjinore në sektorin e industrisë, do të kishte shumë përfitime dhe jo vetëm përfitime makroekonomike, thonë studimet. Duke pasur parasysh mungesën e grave në këtë sektor, përmirësimi i balancës gjinore mund të ndihmojë bizneset të plotësojnë nevojat e tyre për staf.

Një sfidë aspak e lehtë në thelb. Për të parë gra që shtrojnë rrugë e ndërtojnë ura e godina nevojiten burime njerëzore e mbi të gjitha bashkëpunim i ngushtë midis një numri të gjerë aktorësh, përfshirë institucionet e arsimit të lartë dhe profesional, bashkitë, agjencitë lokale të punësimit, qeverinë qendrore, partnerët e zhvillimit dhe sektorin privat. Çka nënkupton shumë punë deri tek gjetja e të mesmes së artë.

Për ta nisur nga shkolla: Pjesa e të diplomuarve femra në inxhinieri dhe degë të ngjashme përbën vetëm 1/3. Shumë pak gra të reja regjistrohen në arsimin profesional dhe si rrjedhojë në sektorin e ndërtimit. Një nga arsyet kryesore për këtë është stereotipi mbizotërues rreth asaj që konsiderohet “punë për gra” dhe “punë për burra”.

Përveç kësaj, paga e burrave në këtë sektor është 14 për qind me e lartë se e grave, çka e bën një grua, profesioniste të kësaj fushe, të mendohet dy herë përpara se të kërkojë punësimin aty.

Në bizneset private rekrutimi i punonjësve bëhet në mënyrë informale dhe kryesojnë burrat, situatë që ndryshon dukshëm në institucionet shtetërore. Gjë që nxjerr në pah edhe keqkuptimin e llojit se gratë nuk duan të punojnë në këtë sektor.

Statistikat e burimeve njerëzore të kompanive të mirëmbajtjes rrugore në të gjithë Shqipërinë e vërtetojnë këtë. Në përgjithësi, për gratë sektori publik ofron më shumë siguri në punë sesa sektori privat – ai siguron kontrata më të rregullta, sigurime shoqërore dhe orare të përshtatshme pune. Sipas studimit të kryer nga Banka Botërore dhe FSHZH në Shkodër p.sh., mirëmbajtja e rrugëve mbikqyret nga një kompani private – dhe asnjë grua nuk është e punësuar në këtë kompani.

Në Pogradec, nga ana tjetër, mirëmbajtja e rrugëve mbikëqyret nga bashkia dhe 57% e punëtorëve të mirëmbajtjes rrugore janë gra. Pra ja që gratë mund t’ia dalin në sektorin e ndërtimit. Por si mund të rritet numri i tyre aty? Duke ndërgjegjësuar si fillim sektorin e ndërtimit (privat e shtetëror) që gratë mund t’ia dalin për bukuri e pse jo duke reflektuar sistematikisht çështjet gjinore në zhvillimin e projekteve infrastrukturore. Natyrisht është e vështirë, por jo e pamundur.

Dhe sa për të dhënë një provë: kthehuni vetëm pak, pas në kohë. A e mbani mend që deri para pak vitesh Policia e Shtetit trajtohej tradicionalisht si një sektor i dominuar nga burrat? A ju kujtohet se sa çudi shkaktonte një grua me uniformë? Epo pasi gratë u nxitën të merrnin pjesë në rolet drejtuese dhe pasi u zbatua një politikë kundër të gjitha llojeve të ngacmimeve në vendin e punës, rezultatet ishin mbresëlënëse. Tanimë gratë me uniformë janë një pamje e zakonshme në rrugët e Shqipërisë. Kjo vlen edhe për të ardhmen e sektorit të ndërtimit. Sfida quhet e shpallur tashmë. /Fondi Shqiptar i Zhvillimit/ATA