Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti  ka thënë se sovraniteti dhe kufiri i Kosovës mbrohen me vendime kushtetuese.

Në një postim në Facebook, ai shkruan se presidenti kosovar Thaçi e kryeministri i Kosovës Haradinaj po shkelin kushtetutën, ndërsa kreu i Kuvendit të Kosovës Veseli është vetëm spektator.

“Kryeministri, kur e ka deleguar dialogun me Serbinë tek presidenti, e ka shkelur Kushtetutën duke mos ushtruar detyrimet e tij kushtetuese. Presidenti po e shkel çdo ditë kushtetutën duke u angazhuar, brenda dhe jashtë Kosovës, për korrigjim të kufijve. Kryeparlamentari është vetëm spektator, bënë fushatë në terren me fjalë të ashpra pa asnjë seriozitet institucional, ndërkaq e quan veten shef të koalicionit PAN”, shkroi Hoti në Facebook.

Ai theksoi se për t’i mbuluar dështimet dhe angazhimet e tyre jo kushtetuese, presidenti, kryeministri e kryeparlamentari kanë ashpërsuar akuzat ndaj njëri tjetrit.

“Në një fushatë të ashpër, ata po i shtyjnë para agjendat e tyre klanore e partiake, duke e dëmtuar shtetin e Kosovës”, vijon Hoti, duke shtuar se zgjedhjet e lira janë e vetmja mundësi për të dalë nga kjo situatë.