“Kur partitë politike shqiptare u takuan për të biseduar për tema me interes etnik për shqiptarët, u bë zhurmë shumë e madhe dhe partitë tjera e keqpërdorën si retorikë të përditshme politike. Kur sot takohen liderët e partive politike maqedonase për tema që nuk janë vetëm në interes etnik të maqedonasve asnjë nuk e problematizon edhe pse takimi nuk ishte transparent”, deklaroi Arianit Hoxha nga Lëvizja BESA.

“Për Besën është e papranueshme që shqiptarët të mos përzihen në vendimmarrje për procese kaq të rëndësishme që prekin direkt interesat e shqiptarëve në vend. Përjashtimi i shqiptarëve për çështje kaq jetike është tentim për të prishur kohezionin ndëretnike kurse parulla “shoqëri për të gjithë” nënkupton defaktorizim të faktorit shqiptar dhe hyrje në epokën ë re e cila dhe thellon ndasitë. Nuk do të lejojmë të shkelet vullneti i shqiptarëve. Apelojmë deri te shumica parlamentare që të ndryshojë qasjen deri te faktori politik shqiptar dhe të kthejnë dialogun mes pozitës dhe opozitës, përfshirë edhe faktorin shqiptar”, u shpreh Hoxha, sipas të cilit përgjegjësitë për ta ndërtuar këtë shtet janë të përbashkëta si për maqedonasit ashtu edhe për shqiptarët.

Hoxha komenton edhe projekt ligjin për Prokurorinë Publike.

“Nuk kemi informacion se çfarë përfshin ligji për prokurorinë publike. Kemi pasur vërejtjet tona kur është zgjedhur prokurori publik. Sa i takon Prokurorisë Speciale nuk mund ta fshehim dëshpërimin tonë si shumica e qytetarëve nga puna e deritanishme e këtij institucioni. Deri tani kemi përkrahur ligjet reformuese me yll të BE-së. Prej tani mund ta themi se nuk do përkrahim blanko gjithçka që do të dalë nga takimet e liderëve të partive politike”, theksoi Arianit Hoxha, Lëvizja BESA.