Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se prioriteti i Qeverisë është forcimi i sigurisë së brendshme.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë sot në takimin përmbyllës të Projektit të dytë të binjakëzimit “Përkrahja e mëtejme e arsimit të sigurisë publike në Kosovë”, të mbështetur nga Bashkimi Evropian, që u mbajt në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Hoxhaj tha se institucionet e sigurisë, veçmas policia dhe doganat janë prej sukseseve më të mëdha të shtetit të ri të Kosovës.

Ai theksoi se sukseset në këtë sektor nuk do të mund të arriheshin pa mbështetjen e shteteve mike që përkrahën ngritjen profesionale dhe zhvillimin e kapaciteteve për luftimin e kriminalitetit, përgatitjen e pjesëtarëve të institucioneve të sigurisë e deri tek themelimi dhe forcimi i institucioneve përkatëse.

“Jam këtu për të falënderuar në emër të Qeverisë së Kosovës dhe të qytetarëve secilin shtet veç e veç, si dhe Bashkimin Evropian. Ne asnjëherë nuk do të ndalemi së forcuari kapacitetet; për të rritur profesionalizmin në luftimin e krimit dhe korrupsionit”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj tha se një nga përpjekjet e vazhdueshme të Kosovës është forcimi i sigurisë së brendshme.

“Në një botë të ndryshimeve është jetike të mbrohet pavarësia dhe siguria e Kosovës. Për një shtet të ri si ne, është me rëndësi të jetë e qartë se siguria, mbrojtja dhe politika e jashtme nuk duhet të jenë të veçuara nga njëra-tjetra”, tha ai.

Më tutje, Hoxhaj deklaroi se institucionet e sigurisë sot reflektojnë edhe një të arritur tjetër, atë çfarë është Kosova në vitin 2019, karakterin shumë-etnik dhe pjesëmarrjen e madhe të grave pothuajse në të gjitha strukturat, duke përfshirë edhe ato të larta drejtuese e menaxhmentit.

Loading...