Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takim delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Ndërsa, pas takimit tha se deputetët të Parlamentit Evropian duan që ta shohin pezullimin e taksës si mundësi për vazhdim të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Hoxhaj u shpreh optimist për çështjen e liberalizimit të vizave duke thënë se mund të ketë lajme të mira në verën e këtij viti.

“Liberalizmin e vizave dhe fitova një përshtypje që pas zgjedhjeve në Bashkimin Evropian në maj të këtij viti, mund te krijohet një rrethanë e re dhe në verë të 2019, që të merret një vendimmarrje pozitive. Kemi fol për dialogun Kosovë-Serbi. Rrallë herë i kam parë evropianët më të vendosur që në vitin 2019, të përmbyllet procesi i shtet ndërtimit të Kosovës me njohje të ndërsjellët dhe një shqetësim të tretë që e kishin edhe deputetët të Parlamentit Evropian është çështja e taksës me mallrat serbe dhe duan që ta shohin Kosovën që të vazhdon dialogun dhe duan që ta shohin pezullimin e taksës si mundësi për vazhdim të dialogut në mes të dy vendeve tona”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj u shpreh se mungesa e vendimmarrjes në vitin 2018, ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve të 2019-ës në BE. Ai është pyetur për kërkesën e eurodeputetëve për shkak të taksës.

“Qëndrimi i tyre është i qartë që e kanë përcjell disa herë por vendimet tona të cilat do të duhej të marrim në të ardhmen, do të duhej të jenë vendime të përbashkëta, por çfarë mendojnë amerikanët dhe evropianët për këtë temë tashmë dihet, në pikëpamjen time nuk ka ndonjë vit ku ka më shumë vëmendje amerikane dhe evropiane ku Kosova është tema kryesore në Ballkan se sa në vitin 2019. Në vitin 2018 ka qenë rasti me Maqedoninë, 2019 ne jemi prioritet, do të varet shumë prej neve se sa do të lëvizim përpara për ta shfrytëzuar këtë shanse historike që mund t’i ofrohet Kosovës, prandaj ne duhet ta shohim 2019 si një mundësi historike dhe nga një herë arritjet e vonuara për një popull nuk janë arritje, sikurse liberalizimit ka filluar t’i dal boja”, vijoi Hoxhaj.

Ndërsa David McAllister, që udhëheq delegacionin prej 7 eurodeputetëve, tha shkurt se kanë biseduar për çështjet aktuale, liberalizimin e vizave dhe se si mund të avancojnë dialogun Kosovë-Serbi.