Barcelona humbet por nuk vetëvritet në sfidën e parë të raundit të 1/8-ave të Kupës së Mbretit. Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni të përbërë në masë të madhe nga lojtarët e stolit dhe të rinjtë premtues u mposhtën në Ciutat de Valencia me rezultatin 2-1. Goli i Coutinhos me penallti në sekondat e fundit mund të rezultojë përcaktues përsa i përket çështjes së kualifikimit, pasi në Camp Nou, Barçës mund t’i mjaftojë edhe një fitore 1-0 për të avancuar më tej. Pa Armando Sadikun që mungon prej disa muajsh por edhe shqiptarin nga Maqedonia Enis Bardhi i cili ishte lënë pushim nga trajneri Paco Lopez, Levante shtangu Barcelonën me dy gola të shpejtë në harkun e 18 minutave me mbrojtësin Cabaco dhe sulmuesin Borja Mayoral. Megjithatë penalltia e realizuar nga braziliani Coutinho në minutën e 85-të riktheu qetësinë te skuadra e Valverdes. Debutoi në këtë sfidë me Barçën edhe mbrojtësi kolumbian Jeison Murillo. Në ndeshjet e tjera, Sevilla pothuajse siguroi kualifikimin në raundin tjetër falë suksesit 1-3 në fushën e Athletic Bilbaos, ndërkohë që Real Betis barazoi pa gola ndaj Real Sociedad.

Loading...