Futbollisti i Shkëndijës, Omar Imeri, do të përjetojë edhe një derbi kundër ish-skuadrës së tij FC Shkupi, këtë të diele (ora 14:00), në stadiumin e Çairit, në kuadrin e javës së 22-të në LPFM, shkruan gazeta Lajm.

Ai flet me respekt maksimal për Shkupin, por thotë se në Çair shkojnë për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetja.

“Shkëndija kërkon titullin e kampionit dhe në këtë drejtim çdo ndeshje për ne është derbi pa marrë parasysh rivalin të cilin e kemi përballë. Kështu e shikojmë edhe takimin e radhës, me respekt maksimal përball ekipit të Shkupit që po jep perfomansa shumë të mira në pranverë. Mirëpo, ne kemi llogaritë tona, duam të fitojmë dhe sa më shpejtë edhe matematikisht të sigurojmë titullin e kampionit. Për këtë arsye në Çair shkojmë për të dhënë më të mirën e mundshme nga vetja dhe për të performuar nivelin që kërkon stafi teknik dhe nëse jemi në nivelin tonë të njohur nuk dyshoj se nuk do të dalim me fitore dhe tre pikë”, deklaroi sulmuesi në formë Omar Imeri, për gazetën Lajm.

Imeri është në superformë, duke shënuar tre gola në tre ndeshjet e para të sezonit praneror. Për sulmuesin kuqezi, me rëndësi është Shkëndija të fitojë, sesa ai të shënoj gol.

“Unë kur jam në terren gjithmonë jap më të mirën për të ndihmuar ekipin tim të fitojë dhe nuk është se ndonjeherë kam planifikuar si do të festoja në rast eventual të shënimit të golit. Këtë se kam bërë kurrë dhe nuk ndryshon asgjë edhe tani. Kam respekt për Shkupin dhe tifozërinë e zjarrtë dhe aty kam kaluar kohë shumë të mirë. Tash jam te Shkëndija dhe krejt normale është të mendoj si profesionist dhe nuk jam as i pari, e as i fundit në këtë pozitë. Besoj në ndeshje cilësore, atmosferë korrekte dhe të zjarrtë dhe në fund të fitojë më i miri”, shtoi Omar Imeri, sulmues i Shkëndijës.

Ndeshjen derbi Shkupi-Shkëndija do ta drejtojë Marjan Markoski nga Ohri, me ndihmësit e tij Sllagjan Markoski dhe Ebrar Taravari, të dy nga Gostivari. /lajm