Bashkëpunimi kulturor në mes të shqiptarëve dhe maqedonase, me gjithë përpjekjet e sinqerta individuale, megjithatë mbetet sipërfaqësor, i zbehtë dhe pa ndonjë gjurmë. Njohësit e zhvillimeve kulturore në vend janë të prirur të besojnë se bashkëpunimi kulturor në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, gjatë këtyre viteve, ka përparuar, por mbetet akoma për të bërë,shkruan Koha. Cila është dinamika, përmbajtja, pse jo edhe cilësia e këtij bashkëpunimi, përfaqësues të ndryshëm të kulturave kombëtare mirëpresin në të ardhmen bashkëpunim intensiv me mes veti, ndonëse praktika e deritanishme ka dëshmuar se ky bashkëpunim përpos një krize identiteti ka patur edhe mungesë agjendash të përbashkëta në fushat e ndryshme artit dhe kulturës.

LIDHJE E CUNGUAR KULTURORE NË MES TË SHQIPTARËVE DHE MAQEDONASVE

Bajrush Mjaku, drejtor i Qendrës Teatrore për Fëmijë vlerëson se në bashkëpunimet kulturore në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve vazhdimisht paraqiten defekte, madje bashkëveprimi vuan edhe nga një dozë e pakuptimtë e njëanshmërisë, gjegjësisht e përjashtimit të njërës ose palës tjetër.
“Mund të themi që ekziston një lidhje e cunguar, apo e pjesërishme e bashkëpunimit kulturor, kjo për arsye se një bashkëpunim i tillë institucional nuk ekziston, por ndonjëherë mund të shfaqen bashkëpunime të tilla në sektorin joqeveritar, atëherë kur donatorët janë të huaj. Kjo ndodhë, sepse vite me radhë buxhetet nga Ministria e Kulturës ndahen dhe shqyrtohen në bazë etnike, ku përfaqësuesit shqiptarë dalin dhe raportojnë se sa është përqindja e projekteve shqiptare të përkrahura nga kjo ministri, duke mos pasur një definicion të saktë se çfarë është projekt shqiptar. Kështu ndodhë p.sh. të punohet shfaqje “shqiptare” ku përveç aktorëve, të cilët janë shqiptar dhe flasin shqip në skenë, asnjë nga autorët tjerë të shfaqjes (dramaturg, regjisor, kostumograf, skenograf etj.) të mos jenë shqiptar dhe përsëri ky projekt cilësohet si projekt shqiptar. Ndërsa, po ndodhi e njëjta në rastin e kundërt, ta zëmë një regjisor shqiptar të punojë shfaqje me ekip maqedonas dhe me aktorë maqedonas që do luajnë në gjuhën maqedonase, përsëri projekti do të cilësohet si projekt shqiptar, vetëm për shkak të regjisorit, apo ndoshta për shkak se përfaqësuesit shqiptar në ministri në këtë mënyrë mundohen ta rrisin përqindjen e projekteve shqiptare”, thotë për KOHËN, doajeni i skenës dhe filmit Bajrush Mjaku.

Sipas tij, nga Ministria e Kulturës deri tani nuk janë përkrahur projekte të përbashkëta, kjo sepse dyshoj, thotë Mjaku, që projektet e tilla nuk dinë si t’i cilësojnë, sepse ato nuk janë as projekte shqiptare e as maqedonase dhe prandaj janë problematike sepse nuk hyjnë në ato përqindjet etnike.
“Këtu vlen të theksohet edhe se në përgjithësi artistët maqedonas duke mos e njohur gjuhën shqipe, nuk janë në rrjedhë me ngjarjet dhe trendet kulturore shqiptare, që nuk është rast me artistët shqiptarë, të cilët nuk e kanë barrierën gjuhësore. Ndaj dhe deri më sot ka pasur vetëm dy raste kur regjisorë shqiptarë kanë bërë shfaqje në teatro maqedonase dhe këta janë Dritëro Kasapi me shfaqjen ‘Roberto Zuko’ në Teatrin e Dramës në Shkup dhe Kushtrim Bekteshi me shfaqjen ‘Shkurorëzimi i Figaros’ në Teatrin Popullor Maqedonas. Ndërsa, regjisorë maqedonas që kanë bërë regji në teatrin shqiptar janë në numër dhjetëfish më të madh”, sqaron Mjaku.

Megjithatë, duhet të thellohen bashkëpunimet kulturore në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, është i mendimit Mjaku, sepse vetëm kështu mund të ngritet vetëdija kulturore dhe më shumë se aq, ndonëse ai nuk përjashton faktin se shoqëria jonë ka shumë probleme, gjë që ngadalëson bashkëpunimet dhe ndërveprimet jashtë kufirit.
“Sigurisht se duhet të ketë ndërveprime, por jo për shkak të konkurrimit jashtë kufijve, por shumë më tepër për shkak të kulturës brenda kufijve. Ne kemi probleme, halle, pengesa, dhe madje edhe kushte të njëjta apo të ngjashme, kështu që edhe tematikat, repertorët dhe estetika është dhe duhet të jetë e njëjtë apo e ngjashme, ndaj dhe nuk është e logjikshme që të bëhet një ndarje e tillë, por përkundrazi duhet të ketë bashkëpunime sa më të thella. Pasi të ketë bashkëpunime brenda kufijve, për hir të nevojës, publikut dhe shoqërisë tonë, mandej pjesëmarrjet jashtë kufijve do të jenë si rrjedhojë e natyrshme e një politike të tillë kulturore”, nënvizon Bajrush Mjaku.

BASHKËPUNIMI LETRAR I PAMJAFTUESHËM

Nga ana tjetër, në fushën e letërsisë shihen të pranishëm edhe shqiptar edhe maqedonas në një libër të letërsisë. Por, më prezent janë poetët ose shkrimtarët maqedonas në revistat shqiptare, dhe fare pak gjejmë ne shtypin e tyre letrar se çfarë ndodh në Shqipëri e me letërsinë shqiptare në përgjithësi, se sa shqiptarët në revistat dhe literaturën maqedonase. Por, me rëndësi është që prej letërsisë shqipe vjen letërsi e mirë.
Për kryetaren e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë, dr.Sonja Stojmenska Elzeser, bashkëpunimet ndëretnike ekzistojnë, por duhet të forcohen, për një letërsi konkurrente edhe jashtë vendit.
“Bashkëpunimi kulturor midis maqedonasve dhe shqiptarëve duhet të ushqehet dhe thellohet vazhdimisht. Në Shoqatën e Shkrimtarëve të Maqedonisë (SHSHM) ka shumë autorë të rëndësishëm të nacionalitetit shqiptarë, të cilët janë përfaqësues të arritjeve të larta letrare. Në këtë kontekst unë do të përmend akademik Luan Starovën, i cili është një shkrimtar i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Gjithashtu shumë autorë të tjerë, si Resul Shabani, Mustafa Spahiu dhe Delvina Kërluku, që janë të përfshirë në mënyrë aktive në të gjitha sferat e veprimtarisë së shoqatës sonë të shkrimtarëve. Udhëzimet për zhvillimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë parashikojnë gjithashtu pranimin e anëtarëve të rinj nga brezi i ri, i cili do të kontribuonte në penetrim edhe më cilësor letrar”, thotë për gazetën tonë Elzeser, kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë.
Ndryshe, shumë pak poetë shqiptar janë prezent në festivalet poetike të iniciuar nga autoritetet maqedone, por kjo situatë është e ngjashme edhe me poetët maqedonas, të cilët ndodhë të mos jenë shumë të përfshirë në mbrëmjet poetike të shqiptarëve.

Loading...