Pas Radja Nainggolan, Interi përdor dorën e hekurt edhe ndaj kapitenit Mauro Icardi, duke e gjobitur me 100 mijë euro për mungesën në stërvitje gjatë ditës së martë. Fillimisht ishte programuar që zikaltrit të zhvillonin seancën e parë stërvitore të këtij viti të hënën por trajneri Spalletti i shtyu përgatitjet me një ditë, duke programuar dy seanca të martën e kaluar një në orën 11:00 dhe një tjetër në orën 17:00, në seancën e parë përveç Icardit mungoi edhe Lautaro Martinez por nëse sulmuesi 21-vjeçar arriti në kohë në seancën e dytë stërvitore, kapiteni mungoi sërish pasi ndryshe nga Lautaro u kthye në Buenos Airesi me një ditë vonesë. Për këtë arsye por edhe për faktin se është kapiteni i skuadrës dhe shembulli për t’u ndjekur nga lojtarët e tjerë, kjo sjellje e Icardit nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve të Interit. Dora e Marottës në klub ka filluar të ndihet dhe zikaltrit e kanë gjobitur Mauriton me 100 mijë euro, me një shifër shumë më të vogël është gjobitur edhe Lautaro Martinez. Sinjale të forta këto se në klub ka rregull por edhe se raportet mes drejtuesve të Interit dhe Icardit janë të tensionuara për faktin se 25-vjeçari nga Rosario nuk po rinovon kontratën. Sëfundmi mediat italiane shkrujnë se Beppe Marotta dhe Piero Ausilio janë lodhur nga bisedimet me bashkëshorten e futbollistit Wanda Nara që është edhe agjentja e tij dhe nuk duan të negociojnë më me të, por duan që Icardi t’u vendosë në dispozicion një tjetër ndërmjetës për të bërë të mundur rinovimin e kontratës.