Mbetja e BDI-së në pushtetin e Gruevskit, pas krimeve dhe të këqijave që u janë bërë qytetarëve, paraqet bashkëpunim dhe dhënie e legjitimitetit për një pushtet kriminogjeno-korruptiv, dhe nga kjo nuk ka ikje”, thotë Zaev

Intervistoi: ALBINA HAJDARI

Në shumë pyetje që i parashtruam me rastin e intervistës ekskluzive për numrin festiv, lideri i LSDM-së Zoran Zaev evitoi përgjigjet e drejtpërdrejta. E vetmja gjë për të cilën përgjigjet në formën më të drejtpërdrejtë dhe pa dilema, është se pushteti aktual do të humbë zgjedhjet e 24 prillit dhe se në ato zgjedhje do të fitojë opozita. Pas kësaj fitore, të cilën e quan edhe “fitore të qytetarëve”, Zaev premton se do të ndërtohet një Maqedoni e re ku të gjithë qytetarët do të jenë të barabartë. Në kuadër të këtyre premtimeve, ai kërkon mirëkuptim nga qytetarët për mospublikimin e bisedave të përgjuara për rastin “Monstra” dhe për konfliktin e Kumanovës, duke bërë të ditur se ato raste do të dalin në shesh nga Prokuroria speciale publike, ku veçmë janë dorëzuar. Ai aludon në mënyrë të qartë se bombat për këto dy raste përmbajnë elemente që do të shkaktonin revoltë te qytetarët, madje edhe “lot te ndonjë nënë” që do ët çonte gjithçka në pakthim. Duke folur për letërnjoftimet e falsifikuara, ai thotë se “fabrika e falsifikimeve” ka funksionuar në “MVRO” dhe ka përgatitur letërnjoftime joligjore me urdhër të Gruevskit dhe Jankullovskës.

Lajm: Z. Zaev, kur filluat të publikoni të ashtuquajturat “bomba” me moton se e tërë e vërteta do të dalë para popullit, shumë shqiptarë në Maqedoni, Zoran Zaevin e shikonin si shpëtimtar nga një regjim disavjeçar jo vetëm për maqedonasit, por edhe për shqiptarët. Këtë e dëshmuan edhe me pjesëmarrjen masovike në protestat e 17 majit. Mirëpo kur u pajtuat të ndërpritni publikimin e “bombave”, vërehet se te e qartë se te shumë shqiptarë është krijuar përshtypje se Zaevi nuk ndryshon aspak nga Gruevski kur janë në pyetje shqiptarët. A mendoni se bëtë padrejtësi ndaj shqiptarëve të Maqedonisë?

Zaev: Të gjithë ne së bashku, pa marrë parasysh se a jemi maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vlleh, boshnjakë, ose nga bashkësitë tjera etnike, jemi shpëtimtarët të republikës së Maqedonisë, ai proces ka filluar. Ai proces është i pandalshëm. Maqedonia do të jetë një shoqëri, vend i qytetarëve të barabartë, me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta. Protesta e 17 majit vetëm na kujtoi se bashkërisht mund t’i kundërvihemi të keqes. Kur një fëmijë është i uritur, kur prindi nuk mundet t’i blejë qumësht, kur prindërit përmallohen për djemtë dhe vajzat e tyre në mërgim, kur njerëz vuajnë në burgje me dyshime ndaj shtetit juridik, këtu nuk ekziston etni, fe, ose çfarëdo lloj dallimi tjetër. E keqja ka një emër, Nikolla Gruevski dhe pushteti i tij dhe zgjidhja është një për të gjithë, largimi i Gruevskit dhe pushtetit të tij. Takoj shumë qytetarë, mes tyre edhe shumë shqiptarë. Qytetarët nuk mundet t’i gënjejë më askush. Dëgjuan, panë dhe e dinë se padrejtësitë i bën sistemi i Gruevskit. Pas të vërtetës, vjen drejtësia.

Lajm: Keni paralajmëruar, por nuk i publikuat të ashtuquajturat “bomba” për rastet “Monstra” dhe për ngjarjet e Kumanovës. Në rastin e parë kemi njerëz të dënuar me burg të përjetshëm, kurse në rastin e dytë pati shumë viktima. Pse u përcaktuat të mos e nxirrni në opinion të vërtetën për këto dy raste?

Zaev: Të gjitha rastet që nuk u publikuan në kuadër të projektit e vërteta për Maqedoninë, i dorëzuam në Prokurorinë speciale publike, institucion i pavarur, i angazhuar për të zbatuar drejtësinë në Maqedoni. Qytetarët do ta marrin vesh të vërtetën! Kjo është rruga. Unë e di se në ndonjë moment, ndoshta është paraqitur ndonjë pakënaqësi, por besoni, një lot i një nëne gjithçka do të dërgonte në pa kthim, në dëm të gjithë qytetarëve. Shumica e qytetarëve, edhe shumica e qytetarëve shqiptarë e kuptuan qëllimin tim të mirë. Dëshmi për këtë është besimi që ja ofrojnë LSDM-së. Ndoshta për herë të parë në historinë e Maqedonisë, ndaj një partie, që është Lidhja Social Demokrate, masovikisht po bashkëngjiten qytetarë të gjitha bashkësive etnike.

Lajm: Keni pasur mundësi të dëgjoni shumë prej bisedave të përgjuara në mënyrë joligjore lidhur me këto dy raste. Në bazë të asaj që keni dëgjuar, a mund të na thoni nëse për rastin “Monstra” janë dënuar personat e vërtetë dhe nëse konflikti i Kumanovës mund të krahasohet me sulmet terroriste në Paris?

Zaev: Analizat për rastin e Kumanovës tregojnë se bëhet fjalë për grup radikal, banditesk, terrorist, kriminel, ku ka edhe persona të kthyer nga Siria, por i tërë opinioni dëgjoi biseda të publikuara që tregojnë lidhshmëri të pushtetit me këto struktura. Qëllimi i tyre për të shkaktuar urrejtje ndëretnike, për fat të mirë u pengua nga qytetarët, që është edhe një konfirmim për vetëdijen e qytetarëve, të cilët nuk lejojnë më lojë me bashkëjetesën, që tashmë 10 vite e bën ky pushtet. Ata që kanë luajtur me zjarr, me jetët e qytetarëve të pafajshëm, të pjesëtarëve të forcave të sigurisë dhe të civilëve, do të bartin përgjegjësi. Kurse faji do të vërtetohet, nuk ka ikje, as për këtë rast, as për rastin Monstra, e as për një rast tjetër. Ka mbetur edhe pak kohë, t’ia lëmë Prokurorisë speciale publike ta tregojë të vërtetën. E vërteta do të merret vesh.

Lajm: Viti 2015 filloi me afera të mëdha dhe po përfundon me afera të mëdha. Afera e fundit ka të bëjë me falsifikimin e letërnjoftimeve. Ju thoni se bëhet fjalë për letërnjoftime të falsifikuara nga pushteti për manipulime zgjedhore, por cilët janë kundërargumentet që i posedoni ndaj akuzave të pushtetit se në fakt bëhet fjalë për “fabrikë aferash” të LSDM-së me qëllim të komprometimit të pushtetit?

Zaev: Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij gjenden në panik të madh. Janë kapur në krim. Çka ju mbetet tjetër, përveç se vetë të krijojnë fabrika për afera? Fabrika për letërnjoftime ilegale ka qenë në MVRO dhe ka punuar me urdhër të Gruevskit dhe Jankullovskës. Në këtë rast, siç publikoi MPB, janë të involvuara edhe institucione tjera shtetërore. Përcillni me kujdes, Ministria e punëve të brendshme do ta ndriçojë tërë skandalin me dhënien e letërnjoftimeve jolegale, që janë keqpërdorë për qëllime zgjedhore. Kjo hapë indikacione serioze për krim zgjedhor, në të cilin është involvuar kreu më i lartë i pushtetit të Gruevskit.

Lajm: Deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kanë mbetur gati 4 muaj, mirëpo me çdo ditë që po kalon, por shtohen rezervat dhe dilemat lidhur me atë nëse më 24 prill mund të sigurohen të gjitha kushtet për zgjedhje fer dhe korrekte. A ekzistojnë edhe te ju rezerva të tilla?

Zaev: Edhe në ditët e fundit të qeverisjes së tij, Nikolla Gruevski po bën gjithçka që është e mundur t’i ikë Marrëveshjes së Përzhinos. Nuk dëshiron të kuptojë robi se nuk ka ikje nga kjo Marrëveshje. Do të implementohet tërësisht, deri në pikën e fundit. Zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni do të jenë fer dhe të lira dhe në to do të fitojnë LSDM-ja dhe opozita, bashkë me qytetarët e republikës së Maqedonisë.

Lajm: Si do të veprojë LSDM, nëse megjithatë vlerësoni se nuk janë plotësuar kushtet për zgjedhje fer dhe korrekte, kurse data mbetet e pandryshuar? A mbetet si opsion edhe vazhdimi i publikimit të “bombave”?

Zaev: Në Maqedoni nuk do të mund të ndodhë edhe një cikël i kriminalizuar zgjedhor. Interesi i qytetarëve të Maqedonisë janë zgjedhjet fer dhe të lira në të cilat do të zgjedhet qeveri e re me legjitimitet të plotë. Zgjedhjet e ardhshme në Maqedoni do të jenë fer dhe në to do të vendosë vullneti i lirë i të gjithë qytetarëve në Maqedoni. Jemi të gatshëm t’i mbrojmë interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Maqedonisë.

Lajm: Si është raporti i LSDM-së me partitë shqiptare në Maqedoni? Me liderët e cilave parti shqiptare ju personalisht mbani kontakte?

Zaev: 180.000 qytetarë në Maqedoni jetojnë me 40 denarë në ditë. Mbi 500.000 njerëz për shkak të këtij pushteti jetojnë në kufi të varfërisë. Nga Maqedonia janë larguar 626.312 qytetarë. Këtu nuk ka maqedonas, shqiptarë, turq, serbë….Të gjithë kanë hallin e njëjtë, për shkak të pushtetit të kushërinjve dhe kumbarëve, Gruevskit, Mijallkovit, Stavrevskit, i përkrahur nga partnerët shqiptarë! Këta njerëz dhe bashkëpunëtorët e tyre që u pasuruan në kurriz të qytetarëve, patjetër do të duhet t’ua kthejnë qytetarëve krejt atë që e vodhën, kurse ata që e kanë shkelur ligjin, do të përgjigjen. Prandaj, po, jam në kontakt me liderët e të gjitha partive politike që njëjtë si Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, janë fuqimisht të përcaktuara t’i japin fund qeverisjes së Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij në pushtet, që mori 10 vite jetë të qytetarëve. Mes tyre sigurisht që ka edhe kryetarë të partive politike shqiptare.

Lajm: A keni filluar me ndonjërën prej partive shqiptare në Maqedoni biseda ose negociata për bashkëpunim parazgjedhor ose paszgjedhor?

Zaev: Të gjitha opsionet që çojnë drejt lirisë së qytetarëve të Maqedonisë janë të mundshme.

Lajm: Si e vlerësoni rolin e BDI-së në qeveri? Në këtë parti tentojnë të krijojnë imazh se ata nuk janë partner i vërtetë koalicioni, por se me pjesëmarrjen e tyre pengojnë dhe amortizojnë politika të gabuara të VMRO-DPMNE-së, gjë që e flasin edhe publikisht. Ai besoni ju këtyre sqarimeve? Në fakt a është e mundshme diçka e tillë – në njërën anë me votat tuaja të zgjedhni një kryeministër, kurse në anën tjetër, t’i pengoni politikat e gabuara të atij kryeministri dhe partisë së tij?

Zaev: Besoj se edhe në BDI, njëjtë si në VMRO-DPMNE ka njerëz që nuk pajtohen me politikat e keqpërdorimeve të partive të tyre. Megjithatë mbetja e BDI-së në pushtetin e Gruevskit, pas krimeve dhe të këqijave që u janë bërë qytetarëve, paraqet bashkëpunim dhe dhënie e legjitimitetit për një pushtet kriminogjeno-korruptiv, dhe nga kjo nuk ka ikje.

Lajm: Cili ishte sipas jush roli i përfaqësuesve shqiptarë në negociatat për tejkalimin e krizës politike? A ishin më tepër në anën e LSDM-së, apo të VMRO-DPMNE-së, në qoftë se mund të bëhet një vlerësim i tillë?

Zaev: Mbarë opinioni është dëshmitar se përfaqësuesit e BDI-së dhe PDSH-së e folën atë që e mendon Nikolla Gruevski. Se përfaqësuesit e BDI-së dhe PDSH-së kryejnë punën e VMRO-DPMNE-së dhe Gruevskit, tregoi votimi në KSHZ, kur duhej të pengohej futja e re e shtetit në borxh. Votat e anëtarëve të BDI-së dhe PDSH-së mundësuan një vendim joligjor të Komisionit Shtetëror Zgjedhor kundër vetos së zëvendësministrit plotësues për financa, që duhej të pengojë futje të re në borxh të qytetarëve dhe korrupsion zgjedhor.

Lajm: Në opinion, para së gjithash te ai shqiptar, u krijua konfuzion lidhur me një deklaratë tuajën për padi penale ndaj Musa Xhaferit dhe Bujar Osmanit. A mund ta sqaroni edhe një herë atë deklaratë?

Zaev: Qytetarët dëgjuan në kuadër të projektit E vërteta për Maqedoninë për shumë aktivitetet antiligjore dhe kriminale të funksionarëve të pushtetit, në mesin e të cilëve ka edhe funksionarë të BDI-së. Për shumë prej atyre rasteve ne kemi ngritur padi penale kundër autorëve të atyre veprave, që tani janë në ingerenca të Prokurorisë speciale publike. Duke u nisur nga ajo që kemi dëgjuar, mundemi vetëm të supozojmë se çka ka bë krejt pushteti në kundërshtim me interesat e qytetarëve, për interesa të ngushta personale dhe partiake. Pres që të gjithë që kanë gabuar para drejtësisë dhe para qytetarëve, të bartin përgjegjësinë e tyre. Kjo do të jetë mësim dhe paralajmërim për të gjithë politikanët dhe qeveritë e ardhshme të mos mendojnë të bëjnë diçka të ngjashme, siç kanë bë funksionarët në qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Lajm: Kohën e fundit dëgjohen zëra dhe mendime lidhur me nevojën për rikthim të Branko Cërvenkovskit si lider në LSDM. Si i komentoni ato zëra dhe a vëreni ndonjë tendencë ose prapavijë në to? Si janë raportet tuaja aktuale me ish kryetarin e partisë?

Zaev: me kryetarin e mëparshëm të LSDM-së, Branko Cërvenkovski, jemi në kontakt kur ka nevojë për diçka të tillë dhe kur lejon koha. Ju e dini përcaktimin tim se çdokush është i mirëseardhur të ndihmojë për kthimin e lirisë dhe demokracisë dhe kjo po ndodh. Pas zgjedhjeve dhe fitores së LSDM-së dhe opozitës, Maqedonia do të jetë ven i lirë i qytetarëve të barabartë, vend anëtar në BE dhe në NATO – bashkë me qytetarët jam i fokusuar ekskluzivisht në këtë qëllim. As nuk i takon karakterit tim, as që dua, e as që kam kohë të merrem me spekulime, pa marrë parasysh se nga cila kuzhinë politike vijnë.

 

Loading...