Një ditë pasi ka fituar titullin kampion Europe në karate për kadet, junior dhe U21 në Alborg të Danimarkës, Doan Osmani (-75kg), në një intervistë për Lajm ka rrëfyer për medaljen e artë të fituar, sfidat dhe ëndrrat e tij.

Ai thotë se ndjenjat janë të papërshkrueshme, duke shtuar se për këtë moment ka punuar shumë.

“Normal se ndjenjat janë të papërshkrueshme. Ndihem i privilegjuar që jam bërë pjesë e atyre momenteve të bukura, por normalisht se për një moment të tillë kam punuar shumë”, ishin fjalët e para të kampionit të ri të Europës për U21, Doan Osmani.

Osmani tha se konkurrenca ka qenë e madhe.

“Nuk është edhe aq lehtë të shpallesh kampion Europe, sepse marrin pjesë 52 shtete dhe çdo kush stërvitet që të bëhet kampion, por kësaj radhe unë isha kampioni që arrita t’i mposhtë të gjithë kundërshtarët e mi”, vijoi ai.

Ai nuk mund të veçoj asnjë luftë, pasi të gjitha kanë qenë të rëndësishme.

“Çdo luftë ka mundimin e vet, nuk mund të jenë të gjitha njësojë. Nuk dua të veçoj asnjë luftë, pasi të gjitha ishin të rëndësishme për t’i fituar”, shtoi Osmani.

Osmani thotë se nga ai mund të pritet gjithçka.

“Nga unë si Doan mund të pritet çdo gjë dhe gjithçka, sepse puna nuk ka të ndalur për synime të reja dhe arritje të reja me trajnerin tim Arlind Huseini dhe klubin e karatesë ‘Fati’ ku unë stërvitem”, theksoi ai.

“Ëndrra ime është që të jem gjithmonë sportist kulmor dhe me rezultate konstante. Normalisht se qershia mbi tortë do të ishte të fitojë medalje në garat olimpike”, përfundoi kampioni i ri i Europës në U21, Doan Osmani.

Kujtojmë se, reprezentuesi i Maqedonisë, Osmani, në finale e mposhti gjeorgjianin Nukita Beljavski me rezultat të thellë 4-0 për t’u kurorëzuar si “mbret” i ri i Europës në karate.

Osmani në rrugën drejt titullit europian mposhti Bekim Bashën nga Shqipëria, turkun Enes Bulut, holandezin Brajan Luse dhe grekun Dimitros Rigas./lajm

Loading...