Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif është përgjigjur me kritika ndaj fjalimit të presidentit amerikan, Donald Trump drejtuar kombit, duke thënë se SHBA-ja mbështet “dikatorë, kasapë dhe ekstremistë”, në Lindje të Mesme.

Zarif ka thënë përmes një postimi në Twitter më 6 shkurt se armiqësia e SHBA-së ka shkatërruar rajonin, transmeton REL.

“Armiqësia amerikane ka rezultuar me mbështetje të diktatorëve, kasapëve dhe ekstremistëve, që kanë shkatërruar rajonin tonë”, ka thënë Zarif.

Tensionet në mes të të dyja shteteve janë rritur pasi presidenti Trump ka tërhequr SHBA-në nga pakti bërthamor që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Presidenti amerikan ka mbrojtur vendimin e tij për tërheqje nga pakti bërthamor, i cili parasheh lirim sanksioneve për Iranin, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Përveç tjerash, Trump ka rikthyer të gjitha sanksionet ndaj këtij shteti.

Presidenti amerikan madje ka cilësuar Iranin “si sponsor kryesor shtetëror të terrorizmit në botë” dhe ka thënë se administrata e tij ka vepruar me vendosshmëri për t’u përballur me të.

“Është një ndryshim radikal. Ata bëjnë gjëra shumë të këqija. Ne nuk do të mbyllim sytë ndaj regjimit që thërret ‘vdekje Amerikës’ dhe kërcënon me gjenocid kundër hebrenjve”.

Mirëpo Zarif në anën tjetër ka thënë se Irani, duke përfshirë komunitetin hebre është “duke shënuar 40 vjet të përparimit” teksa përgatitet të festojë katër dekada prej kur ka ndodhur Revolucioni Islamik më 11 shkurt të vitit 1979.

Zyrtarët kyçë iranianë, duke përfshirë presidentin iranian, Hassan Rohani kanë thënë se Republika Islamike është duke u përballur me situatën më të vështirë ekonomike në 40 vjet, pjesërisht edhe për shkak të rikthimit të sanksioneve amerikane.

Loading...