Vijon sezoni i turbullt i Isco te Real Madrid. I përjashtuar nga formacioni titullar edhe në ndeshjen ndaj Leganes, e vlefshme për Kupën e Mbretit, spanjolli u shndërrua protagonist në rrejtet sociale, me një episod që tashmë me siguri ka nisur një tërmet në klubin e “Los Blancos”.

Në fakt, mesfushori ka bërë një “Like” në një koment në “Tweet” me përmbajtje shumë kritikuese ndaj trajnerit të Real Madrid, Santiago Solari.

“Futi Dani Ceballos dhe Casemiro që janë jashtë forme, madje do të fuste edhe veten e tij, ndonëse është tërhequr nga futbolli tashmë prej 20 vitesh, përpara se të aktivizojë Francisco Alarcon Isco”, lexonte komenti i pëlqyer nga Isco.

Normalisht, Isco, i ndërgjegjësuar, ose i këshilluar për stuhinë që do të krijonte e ka hequr pëlqimin e tij ndaj komentit disa momente më pas, por tashmë dëmi ishte bërë.