Skuadra e FC Shkupit vazhdon të jetë aktive në afatin kalimtar të dimrit dhe pas afrimit në klub të katër përforcimeve të deritanishme, sot kryesia e klubit ka arritur marrëveshje që në radhët e saja të rikthejë një nga futbollistët më të mirë në vend, Besar Isenin.

Fantazisti 22 vjeçar, i cili karrierën e tij futbollistike e kishte filluar pikërisht te FC Shkupi rikthehet në folenë e tij, ndërsa tani ai te Shkupi do të bartë numrin 10. Iseni në sezonin 2017/18 nga Shkupi kishte kaluar te KF Vardari i Shkupit, me të cilën skuadër kishte paraqitje të mira si në kampionat, por edhe në garat evropiane në kuadër të Ligës së Evropës. Përndryshe Besar Iseni deri më tani ka luajtur edhe për gjeneratat e reja të përfaqësueses së Maqedonisë U18, U19 dhe U21.

Padyshim që ardhja e Besar Isenit (Beckos), te Shkupi do të shtojë edhe konkurrencën në ekip, por edhe do të jetë një përforcim i madh i ekipit për sezonin pranveror.

“Është ndjenjë e pa përshkruar që përsëri po rikthehem në klubin e zemrës. Për mua është emocion i veçantë vet fakti që do të luajë për Shkupin tim dhe do të kem pas vete zërat e mijëra tifozëve që janë armatë e vërtetë në përkrahjen që ka ekipi, siç janë “Shvercerat”. E falënderoj kryesinë që më besuan dhe më ofruan të kem fanellën me numër 10, kjo është një shtytje e madhe për vazhdimin e karrierës sime. Sigurisht se fjalët që them duhet bërë realitet në fushë, për çka them se në secilën ndeshje do të jap maksimumin për të përmbushur kërkesat e klubit dhe plotësuar dëshirat e tifozëve tanë. Është nder të jesh me një grup lojtarësh ku mbizotëron atmosferë pozitive, ndërsa ndjenja është edhe më e mirë kur jemi grup si një familje. Dua të shtoj edhe atë se për mua paraqet kënaqësi të punoj nën urdhrat e trajnerit Umit Karan, duke e ditur se ai solli ndryshime në klub me përvojën e tij të madhe që ka gjatë karrierës së suksesshme si futbollist”, ishin këto fjalët e para të Isenit.

Besar Iseni tani më është bashkuar me ekipin në Antali dhe po zhvillon përgatitjet, ndërsa së shpejti pritet të jetë edhe në ndeshjet kontrolluese. Iseni dhe FC Shkupi kanë nënshkruar kontratë dy vjet e gjysmë, ndërsa ky është përforcimi i pestë në këtë afat kalimtar.

Loading...