Ish-ministri izraelit, Gonen Segev, pritet të dënohet me 11 vjet burgim pasi e pranoi veprën e spiunazhit në të mirë të shtetit rival, Iranit. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Drejtësisë në Izrael. Segev kishte shërbyer si ministër i energjisë në vitet e nëntëdhjeta.

Para se të arrestohej nga autoritetet, ai kishte punuar si mjek në Nigeri. Segev është akuzuar për zbulimin e të dhënave për zyrtarët izraelit dhe bazat e ndryshme të sigurisë. Ai ishte arrestuar në Guinenë Ekuatoriale në maj të vitit të kaluar, ndërsa më pas ishte ekstraduar në Izrael. Ish-ministri e pranoi veprën penale të spiunazhit serioz si pjesë e një marrëveshjeje me prokurorët për lehtësim të dënimit.

Vendimi zyrtar për dënimin e tij do të merret gjatë seancës së fundit gjyqësore për këtë rast, e cila është caktuar të mbahet më 11 shkurt. Në anën tjetër, autoritetet iraniane nuk e kanë komentuar dënimin e ish-ministrit. Që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979, udhëheqësit iranianë kanë bërë thirrje për zhdukjen e Izraelit. Ata thonë se Izraeli nuk ka të drejtë të ekzistojë si shtet sepse është pushtues i tokës së myslimanëve.

Në vitin 2005, Segev ishte dënuar me pesë vjet burgim për shkak të tentimit të trafikimit të 30 mijë pilulave nga Holanda në Izrael duke e përdorur një pasaportë diplomatike me afat të skaduar. Atij i ishte marrë edhe licenca e mjekut, por më pas ishte lejuar ta ushtrojë profesionin e tij në Nigeri, shkruan “BBC”.